Kurteshi pas intervistimit në Prokurori: Qëndroj pas çdo deklarate të dhënë
Elmina Osmani /RTK
(E plotësuar 14.30) Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi në cilësinë e dëshmitarit është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale lidhur me disa deklarata të dhëna tetë ditë më parë. Kurteshi ka thënë se qëndron pas çdo deklarate të dhënë derisa shtoi se ekzistojnë fakte që dëshmojnë se Astrit Dehari është vrarë me urdhër të ish udhëheqësve të shtetit.
“Janë mbi tre mijë faqe, dokumente të ndryshme, prova analiza rekomandime në lidhje me rastin Dehari. Shumicën prej tyre, të gjitha ato që kam pasur mundësi t’i siguroj, unë i kam lexuar, i kam përpunuar, i lexoj vazhdimisht. Unë e përcjell rastin Dehari për arsye të ndryshme. Aty ka me qindra dëshmi dhe fakte që vërtetojnë bindjen time për atë që po flas se rasti i Astrit Deharit është vrasje e plotë, vrasje e drejtpërdrejtë me urdhër nga lartë”, tha Kurteshi.
I pyetur se është përmendur emri i tij për mos reagim për djegie të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe humbjes e kthimit të disa provave të Astrit Deharit, Kurteshi tha se ajo do të përmendet në një rast tjetër.
“Për atë çka them vendosi unë. Unë nuk mund t’i përmend të gjitha gjërat. Djegia e IML-së, vjedhja e provave, humbja e provave dhe të gjitha, kur të kapim ndonjë rast tjetër të involvimit të personave të tjerë edhe ato i përmendi sepse nuk kam ndonjë arsye të mos i përmend”, shtoi ai.
Ndërkaq, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi derisa tha se prokurori i deritanishëm i rastit të Astrit Deharit, Afrim Shefkiu ka qenë hermetikisht i mbyllur duke mos u përgjigjur në kërkesat e tyre. Gashi thotë se janë optimistë që prokurori i ri i rastit Dehari, Bekim Kodraliu do të merret seriozisht me rastin.
“Besojmë se ky prokuror duhet të jetë shumë më profesionist se të tjerët dhe besojmë që ky prokuror nuk frikësohet t’i shohë fotografitë me gjak siç është deklaruar në Prokurori dhe për arsye se i gjithë rasti i Astrit Deharit është i përgjakur. Aty nuk ka fotografi të tjera, nuk ka dëshmi të tjera sepse Astrit Dehari është vrarë në burg dhe i vdekur është dërguar në spital të Prizrenit, ku po ashtu ka pasur tentativa të manipulimit edhe të dokumenteve të provave kinse ai ka vdekur në spital. Por, fletëlëshimi ku të gjithë kanë qenë mjekë shqiptarë deklarojnë se ai ka shkuar pa shenja jete”, tha Gashi.
Sami Kurteshi intervistohet në Prokurorinë Speciale
Kurteshi e Gashi thanë se qëllimi i konferencës së 12 gushtit ka qenë që të dëshmojnë se prokurori Afrim Shefkiu e ka mbajtur lëndën e Deharit katër vjet pa e zgjidhur.
Prokuroria Speciale është duke intervistuar anëtarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi. Ky intervistim vjen pas deklaratave të Kurteshit lidhur me rastin e vdekjes së ish anëtarit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, dhënë në një konferencë për media më 12 gusht.
Sami Kurteshi është duke u intervistuar në Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës që nga ora 10:30.
Njoftimin se prokuroria e ka thirr për intervistim e ka bërë vetë Kurteshi në rrjete sociale.
“Pas marrjes ne pyetje te Ministres se Drejtësisë Albulena Haxhiu nga Prokuroria Speciale si deshmitare per rastin, pas deklarimit publik ne rrjetet sociale, ne lidhje me rastin A. Dehari, po per deklarimin publik ne konference per media per rastin Dehari, me thirr per marrje ne pyetje edhe mua”, ka shkruar Kurteshi në Facebook.























