Kryeministria pas takimit me shefin e CIA-s: Dëshmi e marrëdhënieve me SHBA
BKT
Lajme

Kryeministria pas takimit me shefin e CIA-s: Dëshmi e marrëdhënieve me SHBA

RTK

Zyra e kryeministrisë pas takimit të kryeministrit Albin Kurti me drejtorin e CIA-s, William Burns, nëpërmjet një njoftimit ka thënë se kjo vizitë është moment historik për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – ShBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n”, njofton kjo zyrë.

Në njoftim thuhet se kjo vizitë është “dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”.

 “Kryeministri Kurti e falënderoi Drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura Euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, vazhdon njoftimi.

Sipas njoftimit, kryeministri Kurti e njoftoi drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik. Në këto tri vitet e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33% kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11.1% (apo 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.


Shefi i CIA-s pritet në takim nga kryeministri Kurti

Edona Podvorica / RTK 

(E plotësuar, 10:00) Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti me shefin e Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns.

Rreth një orë, shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, ka zhvilluar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Nga takimi janë parë duke dalë edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

Takimi është mbikëqyrur nga forca të shumta të Policisë së Kosovës, e po ashtu edhe me dron.

Shefi i CIA-s takon edhe kryeministrin Kurti

Shefi i Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës (CIA), William Burns, ka hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Dje, Burns u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.


MË SHUME NGA Lajme