Kurti: I nderuar që pres studiues të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare
BKT
Lajme

Kurti: I nderuar që pres studiues të gjuhës, letërsisë e kulturës shqiptare

N.M. /RTKlive

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mirëpriti sot pjesëmarrësit e Seminarit të 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Ky seminar është themeluar më 1974 dhe këtë vit shënon 50-vjetorin e tij, teksa edicioni i 42-të me radhë, ka mbledhur kësaj here rreth 300 pjesëmarrës, ndër ta dhe albanologë nga e gjithë bota.

Bëhet e ditur se kryeministri Kurti me këtë rast tha se është i nderuar nga kjo vizitë e studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, ndërsa i falënderoi ata për angazhimin e vazhdueshëm dhe kontributin e çmuar përmes pjesëmarrjes në këtë seminar.

“Ai shtoi se gjurmët e punës së studiuesve të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare vërehen gjithandej, qoftë tek njerëzit të cilët punojnë dhe lëvrojnë gjuhën dhe letërsinë tonë, por gjithashtu edhe te veprat të cilat lexohen e botohen”, thuhet pos tjerash, në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.

Gjithashtu, ndër të tjera, foli edhe për rëndësinë e historisë së gjuhës dhe historinë e popullit tonë, për të cilat shprehu se nuk mund të ndahen apo mësohen veçmas njëra nga tjetra. U diskutua edhe për raportin e përdorimit të gjuhës me zhvillimin e teknologjisë, e sidomos në lidhje me inteligjencën artificiale, shanset dhe rreziqet përkatëse.


MË SHUME NGA Lajme