Admirali amerikan takon kryeministin Kurti, flasin për sigurinë e dialogun
G.K/RTKlive
Admirali amerikan Stuart Munsch është pritur sot në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në një komunikatë për media të lëshuar nga Komanda e Napolit, theksohet se biseda është fokusuar në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigursë në vend dhe për mbështetjen e NATO-s për dialogun Kosovë-Serbi.
"Komandanti i JFC Naples, Admirali Stuart Munsch, u takua sot me z. Kurti në Prishtinë, Kosovë. Diskutimet e sotme u përqendruan në aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjitha komunitetet në të gjithë Kosovën dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e lehtësuar nga BE ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në njoftim.
E në komunikatën e lëshuar nga qeveria lidhur me këtë takim thuhet se përgjatë bashkëbisedimit, u diskutua rreth zhvillimeve në vend e rajon dhe rreth situatës së sigurisë në përgjithësi.
"Duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve tona të sigurisë e mbrojtjes me misionin e KFOR-it në Kosovë, Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë e vullnetin për bashkëpunim e komunikim të vazhdueshëm, në sajë të punës së përbashkët e në shërbim të paqes dhe sigurisë paralelisht me sundimin e ligjit dhe rendit.
Gjithashtu nënvizoi se shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje në 2023-tën tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s, kryeministri nënvizoi synimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në NATO", thuhet në njoftim.
.jpg)
.jpg)























