Gjendja e jashtëzakonshme në Trepçë, minatorët ankohen për kushtet
Edina Avdiu / RTK
Në minierën e Trepçës në Stantërg, puna po vazhdon. Në gjigantin e dikurshëm metalurgjik, të martën, u shpall gjendje e jashtëzakonshme. Vendimi u mor me arsyetimin e mungesës së aktivitetit në minierë nga data 10 korrik deri më 15 gusht.
Vendimi që u nënshkrua nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit, Faton Ahmeti ua pezulloi pushimin vjetor punëtorëve të ndërmarrjes për tre muajt e ardhshëm.
“Unë personalisht pushimin vjetor e kam shfrytëzua kur mu ka dashur mua, por njerëzit kanë të planifikuara data të caktuara me familje e tash me ua ndërpre, unë mendoj se është jashtëligjore. Nuk e di për çka me u shpallë gjendje e jashtëzakonshme, gjendje e jashtëzakonshme janë kushtet, në çfarë kushtesh punojmë, duhet investim në makineri, nuk punohet pa mjete”, ka thënë për RTK-në minatori Miftar Mehmeti.
Kundër vendimit të kryeshefit është e lejuar ankesa në afat kohor prej 8 ditësh.
RTK ka provuar të marrë një përgjigje nga ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes Trepça, Faton Ahmeti rreth vendimit për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Trepçë si dhe pezullimit të përkohshëm të pushimeve vjetore për punëtorët e kësaj ndërmarrje, por nga menaxhmenti i Trepçës nuk kanë pranuar te flasin.
Të mërkurën Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ për trajnimin dhe certifikimin e minandezësve për Trepçën.
Sveçla shtoi se kjo ka qenë kërkesë e Trepçës me qëllim të rritjes së kapaciteteve nxjerrëse të xeheve në Minierën e Stan Tërgut.
Nga menaxhmenti i ndërmarrjes përmes një komunikate kanë njoftuar se ky udhëzim do të krijojë mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritje të efikasitetit në minierat e Trepçës.
Ky veprim do të kontribuojë në stabilizimin e situatës dhe do të mbështesë rimëkëmbjen ekonomike të ndërmarrjes, thuhet tutje në komunikatë.























