Hetemi: Materialet e mbledhura, dëshmi e luftës në Kosovë
M.Miftari/RTKlive
Atdhe Hetemi, drejtor i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, në magazinën informative “InfoPlus”, foli për fatin e të pagjeturve dhe për aktivitetin e Institutit për grumbullimin e materialeve e dokumenteve që dëshmojnë krimet e luftës në Kosovë.
Hetemi vuri në pah se në takimin e sotëm u diskutua metodologjia për verifikimin e grumbullimin e materialeve që dëshmojnë shkencërisht krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës. Ai me këtë rast, tha se është i gatshëm për bashkëpunim me të gjithë aktorët relevant që kanë dokumentacione e që kanë rëndësi për institutin.
“Takimi i sotëm është vazhdimësi i takimit të mbajtur në dhjetorin e vitit të kaluar …dhe deri më tani kemi arritur të mbledhim material që dëshmojnë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, ku janë grumbulluar 93 metra material arkivor, mijëra orë video-incizime, mijëra fotografi, etj” , tha Hetemi, derisa shtoi se është bërë diskutimi mbi draft-metedologjinë për dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, që do të jetë si bosht kurrizor i institutit në mënyrën dhe procedurat e veprimit të shqyrtimit në mbledhjen, verifikimin, përpilimin, arkivimin e publikimin dokumenteve dhe dëshmive të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Ai më tej shtoi se kjo metodologji duan që të shërbejë si një filtër shkencor nëpër të cilën duhet të kalojnë të gjitha materialet e grumbulluara, dhe sipas tij një proces i tillë mund të marrë kohë.























