Macron: Normalizimi i marrëdhënieve, pjesë e afrimit të Serbisë me BE-në
BKT
Lajme

Macron: Normalizimi i marrëdhënieve, pjesë e afrimit të Serbisë me BE-në

Anamari Repiq, RTK/Beograd

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar në Beograd se është i shqetësuar për “veprimet e njëanshme të fundit të Prishtinës” dhe se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është pjesë përbërëse e procesit të afrimit të Serbisë ndaj Bashkimit Evropian.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për procesin e afrimit me Bashkimin Evropian, tha presidenti francez, Emmanuel Macron, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Sipas Macron, kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa një kompromis nga të dyja palët.

“Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi shprehur shqetësimin tonë për veprimet e fundit të njëanshme të Kosovës që nuk dërgojnë një sinjal të mire”, tha Makron duke theksuar se Franca do të vazhdojë të monitorojë me vëmendje situatën e komunitetit serb në Kosovë, dhe se duhet formuar  Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Macron gjithashtu përgëzoi autoritetet për përpjekjet e tyre në fund të vitit të kaluar për të filluar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, dhe theksoi se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojnë, gjë që është e rëndësishme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Në këtë mënyrë, do të përmirësohen edhe marrëdhëniet tuaja me të gjithë partnerët. Do të kemi lëvizje të lirë të popullsisë dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tuaj”, theksoi Macron.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan në Beograd, ku janë nënshkruar memorandume dhe marrëveshje bashkëpunim, dhe janë shkëmbyer 12 dokumente të nënshkruara për bashkëpunimin ndërmjet Serbisë dhe Francës. Si marrëveshje e veçan u nënshkrua marrëveshja për blerjen e aeroplanëve luftarakë francezë “Rafale”.

Vuçiq tha se Serbia do të blejë 12 avionë, me një kontratë me vlerë prej 2.7 miliardë euro. Duke komentuar a është blerja e avionëve luftarakë nga Franca largimi i Serbisë nga Rusia, Vuçiq tha se Serbia “nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj”.

 “E di që Emmanueli do të donte që ne të vendosnim sanksione ndaj Rusisë, por nuk kam turp për vendimin tim. Unë ua shpjegoj lëvizjet e mia popullin tim”, tha Vuçiq.

Gjithashtu në pyetjen e gazetarëve nëse Macron ka marrë garanci se Serbia nuk do të transferojë teknologjinë në Rusi, Vuçiq tha se Serbia nuk do të jepte transferim të teknologjisë “për asgjë në botë”.

Macron tha se Bashkimi Evropian (BE) ka nevojë për një Serbi të fortë dhe demokratike dhe se vendimi për të blerë "Rafale" është një zgjedhje strategjike dhe afatgjatë në këtë drejtim.

Presidenti i Francës ka thënë se Serbia e ka vendin në Bashkimin Evropian dhe se BE-së i duhet një Serbi e fortë, ndërsa Serbia ka nevojë për një BE të fortë dhe sovrane për të mbrojtur interesat e saj.

“Vendi juaj ka një vend në Evropën tonë, në BE-në tonë”, tha Macron.

Presidenti francez Emmanuel Macron po qëndron për një vizitë zyrtare dyditore në Serbi. Ai nesër do të viziton Novi Sadin.


MË SHUME NGA Lajme