Analistët: Qeveria të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara
BKT
Lajme

Analistët: Qeveria të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara

Kosovare Gashi /RTK Radio

Vizitat e shumta të ndërkombëtarëve në Kosovë kohëve të fundit, nga njohës të çështjeve politike po shihen si vizita “qortuese” kundrejt veprime të fundit të Qeverisë. Sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të jetë më strategjike dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me ndërkombëtarët.

Javët e fundit Kosovën e kanë vizituar zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Mesazhet e tyre ishin të qarta se Kosova nuk duhet të veprojë njëanshëm dhe pa koordinim me ndërkombëtarët. Njohësit e çështjeve politike i konsiderojnë “qortuese” ndaj Qeverisë porositë e ndërkombëtarëve. Profesori universitar, Dritëro Arifi, për Radio Kosovën tha se të gjitha vizitat e ndërkombëtarëve kanë një porosi që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura deri me tani në dialog.

“Perëndimi po kërkon që Kosova të mbajë fjalën për atë që Kosova u zotua gjatë marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Kjo është kërkesa kryesore, po besoj nuk ka kërkesë tjetër që do ta qetësonte  Kosovën nga brenda dhe nga jashtë”, ka theksuar Arifi.

Analisti tjetër politik, Fidan Ukaj, konsideron  që vizitat e fundit të ndërkombëtarëve, kanë bërë që edhe të ndërrojë qasja e Qeverisë edhe për hapjen e urës mbi Ibër.

“Tani më kemi një qasje tjetër të kryeministrit dhe të institucioneve të tjera, nëse më herët e kemi dëgjuar kryeministrin duke thënë se do ta hapim urën, tashmë flet për plane dhe për koordinim, e që mendoj se një gjë e tillë është dashur të bëhet më herët, që të mos ketë këso reaksionesh dhe këso vizita qortuese  nga ana e faktorit ndërkombëtar në adresë të Kosovës”, ka deklaruar Ukaj për Radio Kosovën.

Arifi dhe Ukaj konsiderojnë që Qeveria e Kosovës duhet të jetë më strategjike pasi sipas tyre, një vend i vogël siç është Kosova, duhet të dijë të jetë më i zgjuar se kundërshtari, në këtë rast Serbia.
 


MË SHUME NGA Lajme