Kurti pranoi çmim mirënjohës nga gazetarët ukrainas që jetojnë në Kosovë
V.Thaçi / RTKlive
Gazetarët ukrainas që janë strehuar e jetojnë në Kosovë përmes programit Journalists in Residence, i dorëzuan kryeministrit Albin Kurti çmim mirënjohjeje për "Kontributin e rëndësishëm në mbrojtjen e gazetarëve ukrainas gjatë luftës, mbështetjen për programin ndërkombëtar JiR në Kosovë dhe forcimin e bashkëpunimit mes mediave në Ukrainë dhe Kosovë".
Kurti i falënderoi për këtë vlerësim, duke shtuar se për ne ka qenë obligim përkrahja e luftës së drejtë çlirimtare e për liri dhe demokraci e Ukrainës.
Më tej ai shtoi se në mbledhjen e 216-të të Qeverisë, dy javë më parë, në përputhje me kërkesën e Qendrës Evropiane për Lirinë e Mediave (ECPMF), kemi aprovuar kërkesën që edhe tre gazetarë të tjerë të vijnë në vendin tonë përmes programit JiR, e të cilët mezi presim të mbërrijnë në Kosovë.
Kurti shprehu mirënjohjen për përpjekjet, punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm.
Pjesëmarrëse në këtë takim ishte edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.























