S`ka drejtësi për të zhdukurit gjatë luftës |VIDEO
BKT
Lajme

S`ka drejtësi për të zhdukurit gjatë luftës |VIDEO

Arbresha Berisha/RTK

Edhe sot, si çdo vit tjetër, po kërkohet drejtësi për të zhdukurit, e veçanërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Krerë të shtetit, ambasadorë, diplomatë të huaj e familjarë të të pagjeturve bënë homazhe te përmendorja dedikuar atyre në Prishtinë, dhe u kërkua drejtësi për të gjithë të zhdukurit.

U kërkua, po ashtu, që Serbia t'i hapë arkivat ushtarake.

Janë bërë 25 vjet që Lutfije Vokshi nuk di gjë për fatin e vëllait të saj.

Adem Ademi, i cili ishte kirurg abdominal në Mitrovicë, ishte zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

E derisa mezi mban lotët, motra e saj tregon se ai për herë të fundit ishte parë në afërsi të Zubin Potokut.

Që 25 vjet në pritje të një lajmi për djalin e tij është edhe Bajram Qerkini.

Ai shprehet i zhgënjyer që drejtësia për të birin e të zhdukurit tjerë, nuk është vënë në vend.

Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, krerë të shtetit, ambasadorë, diplomatë të huaj e familjarë të të zhdukurve bënë homazhe para përmendores dedikuar atyre.

Presidentja Vjosa Osmani tha se Serbia po i shkel marrëveshjet e arritura për të pagjeturit.

“E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm”, ka thënë Presidentja Osmani.

E Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka kërkuar vëmendjen ndërkombëtare për ndryshimin e vendimit të mbylljes së arkivave të “Brigadës 37”, e cila njihet si një nga kryerësit kryesor të krimeve në Drenicë e më gjerë.

Të zhdukurit me dhunë u kujtuan edhe nga krerë të partive opozitare e aktorë tjerë politikë.

Nga PDK thanë se institucionet duhet të angazhohen më shumë për zbardhjen e fatit të të zhdukurve.

Ndërsa nga LDK thanë se Bashkimi Evropian duhet t’i bëjë presion Serbisë.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, shprehu dhimbjen e tij për të zhdukurit në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Ai theksoi nevojën për një vëmendje urgjente ndaj kësaj çështjeje të ndjeshme, duke kërkuar intensifikimin e përpjekjeve nga ana e shtetit për të zbardhur fatin e atyre që ende mungojnë.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë ishin zhdukur mbi 6 mijë persona, trupat e shumicës prej të cilëve u gjetën në varrezat masive në Kosovë e Serbi.


MË SHUME NGA Lajme