Biserko Kurtit: Beogradi planifikon zhvendosjen e serbëve në Sanxhak
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit
Lajme

Biserko Kurtit: Beogradi planifikon zhvendosjen e serbëve në Sanxhak

N.M. /RTKlive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Sonja Biserkon, themeluesen dhe presidenten e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi.

Bëhet e ditur se bashkë me të në takim ishin dhe Nenad Çanak, politikan serb, bashkëthemelues dhe ish-udhëheqës i partisë së qendrës së majtë, Lidhja e Social Demokratëve të Vojvodinës, si dhe Mark Baskin, profesor dhe drejtor i Qendrës për Dialog Humanitar.

“U diskutua për situatën dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit perëndimor, vullnetin dhe shanset për integrim në BE dhe NATO, e në veçanti për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, historinë dhe aktualitetin si dhe perspektivat për të ardhmen. Gjatë takimit, Biserko, Çanak dhe Baskin e njoftuan kryeministrin se po flitet që Beogradi zyrtar po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës, sidomos atyre nga veriu, për në Sanxhak, ku siç po thuhet po ndërtohen shtëpi dhe banesa për ta. Ata apeluan te kryeministri Kurti që të përpiqet të parandalojë një skenar të tillë”, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Gjithashtu, bëhet e ditur se Kurti ritheksoi rëndësinë e demokracisë, sundimit të ligjit dhe barazisë për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe posaçërisht përfshirjen e komunitetit serb në të gjitha aspektet e ekonomisë dhe shoqërisë.


MË SHUME NGA Lajme