Në QKUK mbahet seanca dëgjimore lidhur me vrasjen në lagjen Aktash
RTK
Seanca dëgjimore ndaj pesë të dyshuarve lidhur me rastin e vrasjes që ndodhi mbrëmjen e 1 shtatorit në rrugën “Gazmend Zajmi”, lagjja “Aktash” në Prishtinë, po mbahet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
Ajo tha se në këtë seancë shqyrtohet kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.
Ndërkohë, raportohet se forca të shumta të Policisë së Kosovës janë vendosur para Klinikës së Ortopedisë në QKUK ku po mbahet seanca dëgjimore ndaj pesë të plagosurve në rastin midis grupeve.
Natën e 1 shtatorit ka ndodhur një përleshje me armë zjarri, ku për pasojë një është vrarë dhe 5 të tjerë janë plagosur të cilët janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare nën masën e arrestit dhe nën mbikëqyrje policore.























