Shpërthimi në Zubin Potok, Elshani jep detaje
M.Miftari/RTKlive
Zëvëndësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka dhënë detaje lidhur me shpërthimin që ka ndodhur në mëngjesin e hershëm në fshatin Pridvoricë, në Zubin Potok. Ai tha se një granatë dore ka shpërthyer rreth orës 2:40 në oborrin një shtëpie, ku për pasojë janë bërë disa dëmë material, por nuk ka dëme në njerëz.
Në magazinën e lajmeve “InfoPlus" në RTK, ai tha se policia ka dërguar njësitë e veta të specializuara në atë vend dhe është duke u marrë me rastin dhe tani për tani nuk ka ndonjë të dyshuar.
Lidhur me nxjerrjen e materialeve në objektet e ish-strukturave paralele, Elshani tha se për këtë rast kanë qenë të dyshuar 5 persona, për falsifikim të dokumentacionit, derisa tha se ftesat u janë dërguar 4 personave meqë njëri nga ta nuk ishte prezent në shtëpi.
Elshani tutje, njoftoi se me autorizim të prokurorit janë duke i larguar provat materiale nga ndërtesa, afër stacionit të autobusëve dhe nga ndërtesa afër ‘Mëhallës së Boshnjakëve’.
“Nga të gjitha provat materiale do të largohen dhe këto ndërtesa do t’u kthehen pronarëve të tyre legjitim, që në fakt janë të komunës së veriut, njëra nga to i është dhënë Ministrisë së Infrastrukturës”, tha Elshani.
Kurse për kërcënimin ndaj kryetarit të Komunës së Zubin Pototkut, Izmi Zeqirit, të bërë nga pjesëtar i MUP-it serb, Elshani tha se janë në dijeni për këtë rast, por që personi në fjalë është duke jetuar në Serbi dhe për këtë rast nuk ka njeri të arrestuar.























