Projektet për sheshin `Adem Jashari`, Rama fton qytetarët të votojnë |VIDEO
Arlindja Sejda/RTK
Janë prezantuar pesë projektet për sheshin monumental “Adem Jashari” në Prishtinë. Pas vlerësimit nga juria profesionale dhe nga kritika e publikut, do të përzgjidhet propozimi që i përmbush kriteret e kërkuara.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha se juria zgjodhi pesë projekte si më të mirat dhe tha kërkoi nga qytetarët që të shkojnë t’i shohin nga afër projektet e të votojnë për të preferuarin, në mënyrë që në përzgjedhje të përfshihet edhe opinioni i tyre.
“Do ta marrim parasysh edhe votën e qytetarëve, përveç jurisë profesionale”, tha Rama.
Tutje ai tha se këto projekte shkojnë përtej projekteve standarde që shihen në pjesë të ndryshme të Kosovës, duke theksuar se se përveç intervenimeve arkitektonike, urbane, e artistike, në këto projekte do të përfshihet edhe teknolgjia innovative si intelegjenca artificiale.
“Në mënyra të ndryshme dhe të avancuara do të tregojmë edhe tregimet për Heroin tonë Kombëtar, për familjen, për madhështinë, për sakrificën e madhe që e kanë bërë për popullin tonë që ne sot të jemi të lirë në një shtet demorkatik. E gjithë sakrifica e familjes Jashari është e reprezentuar në këto pesë projekte, secila është unike në mënyrën e vet”, tha kryetari Rama.
Ai tutje bëri të ditur se ende nuk është marrë vendim se ku do të jetë lokacioni i projektit dhe tha se është kërkuar që të propozohen edhe lokacione në gjithë Prishtinën.
Rama tha se për këtë vit janë të ndara 100 mijë euro për këtë projekt por potencoi se ato mjete janë vetëm për fillimin, ndërsa varësisht nga projekti fitues do të determinohet edhe kosto e projektit.
Kjo ekspozitë do të jetë e hapur shtatë ditë në ambientet e komunës së vjetër të Prishtinës dhe qytetarët mund të votojnë për projektin fitues.























