Valtonen: Finlanda e gatshme ta ndihmojë Kosovën|Video
BKT
Lajme

Valtonen: Finlanda e gatshme ta ndihmojë Kosovën|Video

Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka pritur në takim Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen.

Në konferencën e përbashkët, ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se temë diskutimi me homologen e saj finlandeze ka qenë siguria në veri të vendit, ndërsa ka insistuar që ura mbi lumin Ibër duhet të hapet.

Gërvalla ka thënë se kjo urë ka simbolizuar ndarje dhe përçarje, ndërsa ka theksuar se Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj.

“Kemi diskutuar edhe për sigurinë në veri të vendit, e në veçanti për situatën e urës kryesore në Mitrovicë. Kjo urë, e cila ka simbolizuar ndarje dhe përçarje për shumë vite, duhet të hapet. Vetëm kështu ajo shndërrohet në një simbol të pajtimit dhe bashkimit. Kosova është e përkushtuar ta zbatojë sundimin e ligjit në çdo cep të territorit të saj, duke garantuar të drejta të barabarta për gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësive të tyre etnike”, ka theksuar ajo.

Gërvalla ka thënë se shpreson që anëtarësimi i Kosovës në NATO të bëhet në mënyrë të shpejtë, siç ndodhi me Finlandën.

“Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve tona sot u përqendrua mbi sfidat aktuale të sigurisë në Evropë, agresionin rus kundër Ukrainës dhe sjellja agresive dhe hegjemoniste e fqinjëve dhe aleatëve në Evropë, paraqesin një kërcenim të madh dhe serioz për paqen dhe stabilitetin evropian. Ne në Kosovë e kuptojmë më mirë se kushdo tjetër ndoshta rëndësinë e mbrojtjes së vlerave demokratike dhe të drejtës për vetëvendosje. Rolin e NATO-s, Gërvalla e konsideron jetik për stabilitetin e rajonit perëndimor. Kosova qëndron fuqishëm në mbështetje të Ukrainës në këtë luftë për liri dhe sovranitet. Për më tepër, roli i NATO-s vazhdon të jetë jetik për stabilitetin e rajonit tonë. Ne jemi të përkushtuar t’i forcojmë marrëdhëniet tona me NATO-n. Synimi i Kosovës është anëtarësimi i plotë në NATO dhe mbetet një objektiv strategjik ku përvoja e Finlandës ku së fundmi u bë anëtare e kësaj aleance, na shërben si një shembull që ne e ndjekim dhe kemi shumë vëmendje”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, ka thënë se shteti i saj është i gatshëm të bëjë ‘çfarëdo që është e mundur” për ta mbështetur Kosovën në dialogun me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Valtonen, e ka quajtur Finlandën mike të fuqishme të Kosovës, e cila ka mbështetur anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO.

Pas takimit të përbashkët, kryediplomatja finlandeze ka thënë se janë të gatshëm të punojnë edhe në raportet tregtare, veçanërisht në digjitalizim dhe energjinë  e pastër, me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kryediplomatja e Finlandës arrinë në Kosovë, pritet nga ministrja Gërvalla

Ministrja e Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen ka arritur në Kosovë. Ajo është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, nga ministrja e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla dhe ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen.Fotografitë nga ardhja e ministres finlandeze i ka publikuar ambasada e Finlandës në Kosovë. Gjatë kësaj vizite Valtonen do të ketë takim me drejtues të institucioneve të Kosovës.

Ajo fillimisht do të pritet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ku pas takimit do të mbahet konferenca për media.

Ndërkaq në orën 15:00, Valtonen do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti.


MË SHUME NGA Lajme