Kurti takoi shefin e ri të BE-së, ia përmend aplikimin për anëtarësim
BKT
Në Fokus

Kurti takoi shefin e ri të BE-së, ia përmend aplikimin për anëtarësim

Sh.Ç/RTKlive

(E plotësuar) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur Shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ofroi bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.

“Ai theksoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022, është e përkushtuar për të kryer reformat e nevojshme për anëtarësim. Plani i Rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave”, thuhet në njoftim.

Kurti dhe Orav diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.

Kryeministri foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët.

Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Shefi i BE-së në Kosovë takoi sot kryeministrin Kurti

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav ka takuar kryeministrin Albin Kurti. Orav i ka shprehur Kurtit, gatishmërinë për të punuar me institucionet e Kosovës drejt avancimit të raporteve BE-Kosovë.

”Ambasadori ynë u takua sot me kryeministrin Albin Kurti për të ritheksuar mbështetjen e fuqishme të BE-së për rrugën e Kosovës në BE dhe reformat në lidhje me BE-në. Ai shprehu gatishmërinë për të punuar ngushtë me institucionet e Kosovës për avancimin e marrëdhënieve BE-Kosovë”, thuhet në njoftim.


MË SHUME NGA Në Fokus