Gërvalla: Kosova e sheh Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal
BKT
Foto: Visar Shatrolli/RTK
Lajme

Gërvalla: Kosova e sheh Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal

V.Thaçi, SH. Gashi|RTKlive

 Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan. Në takim është biseduar për sigurinë në rajon dhe bashkëpunimin e dy shteteve në aspektin politik dhe ekonomik.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se me homologun e saj turk Hakan Fidan kanë diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, 'në një kohë kur rajoni po përballet me sfida të mëdha të sigurisë veçanërisht nga ndikimi destabilizues dhe kërcënues i Serbisë ndaj Kosovës'.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar se roli i Turqisë dhe i NATO-së është i fuqishëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin tonë.

“Kosova mbetet e përkushtuar për partneritetin e saj me NATO-n dhe për forcimin e pranisë së saj në vendin tonë si një garanci për mbrojtjen e paqes në rajon”, ka thënë Gërvalla.

Sipas saj, në këtë kontekst Kosova e sheh Serbinë si një rrezik real për stabilitetin rajonal.

“Kërcënimet për bllokimin sot të pikave kufitare janë vetëm një dëshmi e shtuar e synimeve hegjemoniste por edhe e veprimeve konkrete provokuese, destabilizuese të Serbisë të cilat shkojnë përtej kërcënimeve verbale”, ka theksuar ajo.

Ministrja ka thënë se sovraniteti i Republikës së Kosovës nuk është i diskutueshëm. “Jemi të vendosur që së bashku me aleatët tanë dhe me partnerët strategjik përfshirë Turqinë të vazhdojmë të ruajmë dhe forcojmë paqen në Kosovë dhe më gjerë”, ka deklaruat Gërvalla.

Ajo ka thënë se e vlerëson shumë mbështetjen e Turqisë edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në arenën ndërkombëtare.

Në konferencën e përbashkët me homologun e saj turk, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë të bazuara në miqësi të gjatë dhe bashkëpunim të ngushtë.

“Në aspektin ekonomik bashkëpunimi mes Kosovës dhe Turqisë është i një rëndësie të veçantë dhe se investimet turke përgjatë viteve kanë luajtur rol kyç në zhvillimin ekonomik të Kosovës duke krijuar vende pune dhe duke përmirësuar dukshëm infrastrukturën”, ka theksuar Gërvalla.

Gërvalla ka theksuar se do të vazhdohet të punohet për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Gërvalla ka thënë se komuniteti shqiptar në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë ndërtojnë çdo ditë ura të rëndësishme mes dy vendeve.

“Komuniteti shqiptar në Turqi është i madh në numër dhe luan një rol kyç në forcimin e lidhjeve në mes dy vendeve tona dhe kanë ndërtuar një histori të gjatë dhe të suksesshme integrimi si komponent i rëndësishëm i shoqërisë turke. Këta kanë ruajtur lidhje të thella emocionale kulturore dhe historike me Kosovën duke shërbyer si urë lidhëse mes dy popujve tanë dhe duke forcuar marrëdhëniet tona në çdo aspekt, qoftë ekonomik e kulturorë, qoftë politik e diplomatik”, ka deklaruar ajo.

Fidan: Turqia e mbështet Kosovën, stabiliteti në rajon i rëndësishëm

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, ka thënë se me homologen e tij, ka biseduar për zhvillimet e fundit në Ballkan.

“Ne folëm se çfarë mund të bëhet që stabiliteti në rajon të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm. Ne e kemi mbështetur Kosovën që nga fillimi për të arritur në pozitën e merituar në arenën ndërkombëtare. Përfitoj nga rasti që të them se ne do të vazhdojmë ta mbështesim gjithmonë. Forca e NATO-së në Kosovë, KFOR të cilën e komandojmë kanë një rrol jashtëzakonisht të rëndësishëm në vendosjen e sigurisë në rajon. Është krenari për ne të shohim komandantin tonë të KFOR-it të vazhdoj me sukses detyrën e tij”, ka thënë Fidan

Sipas tij, me përmirësimin e kushteve të sigurisë do të jetë një hapësirë më e gjerë për dialogë dhe diplomaci.

“Në këtë kontest ne besojmë se po ashtu problemet e Kosovës dhe të Serbisë do të rregullohen vetëm me dialog. Në mbështesim përpjekjet e dy vendeve për këtë”, ka thënë kryediplomati turk.

Fidan ka thënë se i ofron mbështetje për Forcën e Sigurisë së Kosovës në fushën e trajnimeve dhe me pajisjet e industrisë së mbrojtjes. “E kjo do të vazhdojë fuqishëm edhe në të ardhmen”, ka premtuar ai.

Ministri truk ka thënë se kanë diskutuar edhe për luftimit të terrorizmin, duke folur për hapat që duhet të merren për organizatën terroriste FETO. Sipas tij, kjo organizatë është e rrezikshme edhe për Kosovën

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, ka thënë se qëllimi i Turqisë është që në Prishtinë të sjell një vizion strategjik gjithëpërfshirës në marrëdhëniet e dy vendeve.

“Sigurinë, politikën dhe ekonomin i konsiderojmë si tri shtyllat kryesore të bashkëpunimit tonë. Dialogu ynë politik është tashmë më një nivel të shkëlqyer, duke përfituar nga kjo duke adresuar çështjet tona të sigurisë me një qasje afatgjate. Ne tani kemi dëshirë që dialogun ta vendosim në një kuadër institucional. Nënshkrimi i marrëveshjes së sigurisë mes Turqisë dhe Kosovës do të jetë i pari i këtij bashkëpunimi. Së këndejmi do të forcojmë edhe më tutje bashkëpunimin tonë ekonomik. Duam që në të ardhmen vëllimin tregtar ta rrisim në 1 miliard euro. Investimet e kompanive turke kanë arritur prej 500 milion euro në Kosovë. Kompanitë tona kanë krijuar punësim për rreth dhjet mijë motra e vëllezër kosovar. Megjithatë këto shifra ende nuk janë të mjaftueshme”, ka thënë ai.

Gërvalla takon ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.

Pas këtij takimi do të ketë konferencë për media.

Ndërkohë, gjatë ditës ministri turk do të pritet edhe nga presidentja e Republikës,Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti.


MË SHUME NGA Lajme