Bllokohen pjesërisht rrugët në afërsi të Merdarit e Jarinjës, nga ana serbe
Arlinda Sejda & Elmina Osmani/RTK
(E përditësuar)- 18:40 Ashtu siç ishte paralajmëruar, rrugët në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, në Merdar dhe në Jarinjë, janë bllokuar pjesërisht në pjesën serbe.
Sipas informacioneve jozyrtare nga disa kalimtarë të rastit, andej kufirit, në afërsi të Merdarit, rreth orës 18:00, kanë qenë rreth 50 protestues serbë, ndërsa tani numri i tyre ka rënë në 20.
Bëhet e ditur se protestuesit po e lejojnë qarkullimin vetëm për qytetarët serbë, por jo edhe të tjerët, pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, qoftë kosovare apo të shteteve evropiane.
Edhe në Jarinjë lëvizjet e veturave dhe mauneve me mallra janë shumë të rralla. Jo zyrtarisht RTK ka mësuar se përtej kufirit janë mbledhur disa persona te cilët kanë bllokuar hyrjen në pikën kufitare në Jarinjë për personat me dokumente të Republikës së Kosovës.
Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga njerëz Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.
Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) u ka bërë thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.
(18:00) Vazhdon qarkullimi i automjeteve në pikat kufitare Kosovë-Serbi
Serbët kanë paralajmëruar për bllokimin e pikave kufitare duke filluar sot nga ora 18:00. Megjithatë aktualisht situata është e qetë dhe automjetet po vazhdojnë të qarkullojnë.
Në pikën kufitare në Merdar, njëra ndër pikat që lidhë Kosovën me Serbinë situata është e qetë. Në këtë pikë ka shumë pak qarkullim të automjeteve, në hyrje dalje të kufitit. Ende nuk shihen protestues sipas paralajmërimeve të qytetarëe serbë për bllokim të pikave kufitare
Ndërkohë edhe në pikën kufitare në Jarinje në këto moment ende ka lëvizje të automjeteve, ndonëse fluksi i lëvizjes është më i vogël.
Megjithatë, serbët të cilët kanë paralajmeruar bllokadën e kufirit nga ora 18;00, kanë thënë se nuk do të lelojnë hyrje-dalje me dokumente të Republikës së Kosovës
Nga ora 18:00 nuk shihen forca të policisë përpos një patrulle të KFOR-it dhe EULEX-it.

























