Mehaj: Një efektiv të Njësisë Speciale e krahasoj me 50 ushtarë të NATO-s
BKT
Lajme

Mehaj: Një efektiv të Njësisë Speciale e krahasoj me 50 ushtarë të NATO-s

G.K/RTKlive

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka deklaruar se një efektiv në Njësinë Speciale Intervenuese ai e krahason me 50 ushtarë të NATO-s, duke u theksuar se intervenimi në Banjskë ndaj të armatosurve serbë vitin e kaluar “ishte betejë e qartë që Kosova ka zot shtëpie”.

Ai tha se Policia e Kosovës në 25 vjetorin e krijimit dhe funksionimit të saj është një ndër institucionet e cila bartë në vetën e saj shumë krenari si institucioni me kredibil në Republikën e Kosovës, së bashku me FSK-në.

"DNjSI (ish-FIT) është krenaria jo vetëm e policisë por mbarë Republikës sonë të dashtun", ka shkruar ai.

Ai ka shkruar në Facebook të dielën se kjo njësi kishte arritur në kohë rekorde ta vë nën kontroll situatën e krijuar “duke çmontuar grupin e mbi 100 terroristëve”. Sipas Mehajt, nëpërmjet reagimit të armatosur në Banjskë, Kosova ka fituar respekt në qarqet e sigurisë ndërkombëtare.

Sipas ish-ministrit, Njësia Intervenuese e pati parandaluar një gjakderdhje të madhe që mund të pasonte, derisa është shprehur se nëse kjo lloj situata do të ndodhte në vendet e NATO-s, “do të angazhohej një batalion që ka në veten e tij 500 deri në 1000 trupa ushtarake”.

“Me pak fjalë, shprehem se e kam të vështirë të thuri elozhe për rëndësinë e këtyre njerëzve të cilët pa kursyer asgjë nga vetja e tyre, ishin dhe janë në shërbim të plotë të atdheut tonë të përbashkët, këtë gjë e dëshmuan më së miri në incidentin e armatosur ne Banjë të Zveçanit, ndaj terroristëve të cilët ishin te organizuar, trajnuar, mbështetur nga vetë Serbia dhe kreu i saj politik e ushtarak”, ka thënë Mehaj.


MË SHUME NGA Lajme