Haradinaj: Kurti po e largon Kosovën nga aleatët, Osmani bashkëpërgjegjëse
M.M./RTKlive
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për largimin e Kosovës nga aleatët ndërkombëtarë, shprehu shqetësimin për politikën e jashtme të vendit.
Ai deklaroi se politika e Kurtit në Uashington po konsiderohet gjithnjë e më shumë gati si armiqësore. Kurse për BE-në, tha se po instalon një politikë ku Kosova është e përjashtuar nga çdo proces integrues.
“Politika e Kurtit sot në Uashington çdo ditë e më shumë konsiderohet si politikë gati armiqësore, kurse Evropa e udhëhequr nga Gjermania, me atë që tha Sarrazin, po e përjashton Kosovën nga Procesi i Berlinit dhe nga çdo nismë rajonale. Evropa po instalon politikë 6 minus 1 në Ballkanin Perëndimor. Ky minus është Kosova: e përjashtuar nga çdo proces integrues, e sanksionuar dhe me pritje të fuqizimit të sanksioneve dhe masave të tjera izoluese”, ka shkruar në Facebook.
Haradinaj Vjosa Osmanin e cilësoi si presidente koti.
“Kosova ka një presidente koti që pas katër vitesh qeverisje merr guximin të dalë në televizion dhe për 40 minuta të flasë sa e rëndësishme është SHBA-ja për Kosovën, sikur gjatë këtyre katër viteve ajo të kishte qenë në hënë. Një përpjekje e mjerë për ta hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për ta ngarkuar vetëm Kurtin. Gabim, zonja Presidente. Në çdo ndyrësirë të Kurtit, ti je në mes të saj”, ka shkruar Haradinaj.























