Konjufca: Dialogu Kosovë-Serbi, në qorrsokak
E. P. /RTK & M.M. /RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka folur për dialogun Kosovë- Serbi, për të cilin tha se ai ndodhet në një qorrsokak dhe që Serbia i ka kontribuar me veprimet e saj.
"Mendoj që dialogu në formatin që qysh ka qenë prej vitit 2011 e ka pasur arkivolin më 24 shtator të vitit të kaluar, me sulmin terrorist në Banjskë, sepse informatat që i posedon edhe bashkësia ndërkombëtare edhe institucionet tona të sigurisë, përfshirë edhe AKI-në, tregojnë qartë që ky grup i madh kriminal prej qindra personave e ka pasur mbështetjen e drejtpërdrejt prej shteti serb", tha ai.
Konjufca tha se këtij grupi terrorist iu është ofruar logjistika dhe mbështetja shtetërore edhe poligonet ushtarake ku janë ushtruar dha armatosur.
Kryeparlamentari ka folur edhe për trajtimin të cilin e ka quajtur të pabarabartë të Kosovës e Serbisë nga ana e Bashkimit Evropian.
“Bashkimi Evropian nëse dëshiron palë te barabarta si dy shtete sovrane të kombeve të bashkuara, ashtu siç specifikohet në Marrëveshjen e Ohrit, nëse do me i mbyllë sytë e mos me reagua, ashtu sic i mbylli sytë edhe kur u mbyllen kufijtë, për të cilët pati mbështetje nga Beogradi,nuk e pashë asnjë reagim, dhe kjo na ka habitur”, tha Konjufca.
"Prandaj konsideroj se pikërisht për këtë arsye është shkatërrua minimumi i mirëbesimit që kërkohet në proceset e tilla negociatorësh", tha Konjufca.























