KDI: Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës me mungesë të kuorumit
Elmina Abdyli /RTK
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) mbajti sot konferencë për media ku shpalosi raportin vlerësues për punën e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror janar-korrik 2024.
Violeta Haxholli, menaxhere e projektit tha se Kuvendi gjatë këtij sesioni ka shënuar një rënie në aktivitetin e tij, duke vënë theksin se për gjithsej 13 javë pune nuk janë organizuar fare seanca.
"Nga janari deri në fund të muajit korrik, Kuvendi zhvilloi 29 seanca, 10 prej të cilave ishin seanca plenare, kurse për shkak të mungesës së kuorumit kishte 7 vazhdime të këtyre seancave. Ndërsa, janë mbajtur edhe 6 seanca të jashtëzakonshme dhe 6 seanca solemne", tha ajo.
Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, Haxholli shtoi se gjatë këtij sesioni nuk u ftua asnjë herë në raportim Kryeministri dhe nuk u organizuan interpelanca.
Haxholli foli gjithashtu edhe për temat kryesore gjatë këtij sesioni, ndërsa prej tyre u veçuan diskutimet rreth Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave, Projektligji i ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfundimi i draftimit të Kodit të Sjelljes nga Komisioni për Legjislacion, por i cili ende pret miratimin përfundimtar në seancë.























