Sot shfaqet filmi ‘Rexhep -Çka e vrau arkitektin’
Sh. Gashi|rtklive
Në këtë 11 shtator që shënon 24 vjet nga vrasja e arkitektit Rexhep Luci, nga ora 19:00 në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë,shfaqet filmi i metrazhit të gjatë dokumentar “Rexhep - Çka e vrau arkitektin”.
“Rexhep - Çka e vrau arkitektin” është dokumentar i metrazhit të gjatë për Rexhep Lucin, arkitektin dhe urbanistin e ndjerë nga Prishtina.
Menjëherë pas luftës së vitit 1999, Rexhepi u bë drejtor i urbanizmit në Komunën e Prishtinës dhe ishte i vendosur të parandalonte ndërtimet ilegale që kishin filluar nëpër qytet. Në mbrëmjen e 11 shtatorit të vitit 2000, ai u vra në hyrje të banesës ku banonte.
Dokumentari përshkon rrugëtimin e tij personal dhe profesional me qytetin. Ai lidhet afërsisht me historinë e Kosovës , prej kohës së ish-Jugosllavisë kur Rexhepi udhëhoqi përfundimin e planit vizionar Plani Gjeneral Urban për Prishtinën, deri pas lufte, tek plani i tij Vizioni për Prishtinën.
Përmes intervistave me familjarë dhe kolegë të afërt, dokumentari shtjellon çka e ndalë një arkitekt. Kjo shfaqje është e përkrahur nga Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës.























