Kurti: 11 shtatori, epokë e re ku terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë
M.Miftari/RTKlive
(E përditësuar) Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me zëvendës-kryeministren e ministren e Jashtme e të Diasporës, Donika Gërvalla, me ministra të tjerë, si dhe me zëvendës-ambasadoren e SHBA-së, Prattipati, ka bërë homazhe në nderim të viktimave të 11-Shtatorit në SHBA.
Kurti tha se kujtimi, solidariteti për viktimat shkon me familjet që i kanë humbur më të dashurit e tyre, gjithashtu “bashkëpunimi ynë me qeveritë demokratike anë e mbanë botës të prira nga SHBA në luftë kundër terrorizmit”.
“Kjo ngjarje që prej atëherë paraqet një epokë të re, sepse terrorizmi duhet luftuar nga të gjithë dhe duhet bashkëpunimi i secilit shtet, secilës qeveri, secilit aktor e faktor, secilit politikan e do të thosha edhe secilit qytetar liridashës i cili dëshiron paqe, demokraci, të drejtat njeriut, pluralizëm politik e mirëqenie që nuk diskriminon asnjeri”, tha Kurti.
Kurse zëvendës-ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati, duke falënderuar kryeministrin Kurti dhe kabinetin e tij qeveritar për nderimin e dedikuar viktimave të 11-Shtatorit, tha se falënderon gjithashtu edhe popullin e Kosovës për mbështetjen e palëkundur kundrejt SHBA-së.
Ajo tha se jetët e humbura nuk janë vetëm të SHBA-së, por edhe të vendeve të tjera gjithandej botës. Sulmi i 11-Shtatorit ishte sulm ndaj lirisë dhe demokracisë.
Nderohen viktimat e 11 shtatorit
Visar Shatrolli /RTK

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shoqërimin e kabinetit qeveritar dhe të ngarkuarën me punë në ambasadën e ShBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, kanë bërë homazhe në nderim të viktimave nga sulmi i 11 Shtatorit, pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë.
Kujtojmë se sulmi terrorist ndaj Kullave Binjake u krye me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.























