Blerja e raketave ‘Jevelin’, Maqedonci konfirmon kryerjen e pagesës së parë
BKT
Lajme

Blerja e raketave ‘Jevelin’, Maqedonci konfirmon kryerjen e pagesës së parë

M.Miftari/RTKlive

(E përditësuar) Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se vendi është në rrugën e duhur që të pajiset me sistemin raketor “Javelin”.

Në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së Qeverisë, Maqedonci ka thënë se deri në fund të vitit pritet të kryhet edhe pagesa e këstit të dytë.

Departamenti Amerikan i Shtetit në janar pati deklaruar se shitja e këtyre armëve në Kosovë mbështet politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Maqedonci: Mbrojtja Gjithëpërfshirëse, mundësi për secilin qytetar

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në konferencë me gazetarë tha se në mbledhjen e sotme është miratuar `Programi Kombëtar i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse`, që sipas tij është një strategji qeveritare e përfshirjes së mbarë shoqërisë në sistemin e mbrojtjes me qëllim të mbrojtjes të interesave jetike të vendit.

Maqedonci më tej theksoi se si bazament i këtij programi janë dokumentet kryesore në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, që sipas tij janë: ‘Strategjia e sigurisë së Kosovës 2022-2027’, si dhe ‘Strategjia e mbrojtjes’.

“Me mbrojtjen gjithëpërfshirëse do t’u jepet mundësia secilit qytetar të vendit tonë, por edhe organizatës qeveritare e fushës së sigurisë, e ndihmës së parë, apo ofrimit të shërbimeve emergjente, të jetë pjesë e sistemit tonë mbrojtës”, tha Maqedonci, derisa shtoi se përmes këtij programi do të qartësohet roli i institucioneve qendrore e lokale në sistemin e mbrojtjes.

Ai më tej përmendi shtyllat në të cilat bazohet ky program gjithëpërfshirës, që për synim kanë ndërtimin e një qëndrueshmërie kombëtare të sistemit mbrojtës.


MË SHUME NGA Lajme