`Abetarja` e Petrit Halilajt hapet sonte në Nju Jork
BKT
Kulturë

`Abetarja` e Petrit Halilajt hapet sonte në Nju Jork

E. Hoti / RTKlive

Ekspozita e fundit e Petrit Halilajt, “Abetare” (Klasë Zhurmëtare), hapet sot në galerinë “Kurimanzutto” në Nju Jork. Këtu, Halilaj ekspozon banka shkollore të braktisura, të gërvishtura me vizatime të fëmijëve që ai i gjeti nëpër shkollat e Kosovës dhe i solli në studion e tij në Berlin. 

Galeria “kurimanzutto” përmës një komunikate njofton se në Berlin, ai i rielaboroi dhe i montoi bankat e vjetra në objekte skulpturore, vizatimet e të cilave janë burim frymëzimi për serinë e tij të njohur me skulptura prej bronzi dhe çeliku me titull “Abetare”, që është aktualisht e ekspozuar në Muzeun Metropolitan të Artit (MET) si pjesë e projektit Roof Garden Commission (e hapur deri më 27 tetor).

"Të integruara me bankat shkollore janë edhe skulpturat prej bronzi nga seria Abetare, që transformojnë vizatimet e fëmijëve mbi bankat e tyre në forma tre-dimensionale.Në galerinë “kurimanzutto” Halilaj rikrijon një klasë shkollore, ku skulpturat reflektojnë mbi gjuhën, rininë dhe komunitetin në kontekstin e historisë së Kosovës, si dhe fuqinë e fantazisë për ta tejkaluar një mësim të mërzitshëm shkolle ose kërcënimin e luftës", thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kjo ekspozitë është vazhdimësi e serisë “Abetare” të Halilajt e cila merr format e saj të larmishme nga vizatimet dhe skicat e fëmijëve gdhendur në bankat e tyre, për ti shndërruar këto ëndrra të përditshme dhe akte të vogla rebelimi në krijime hapësinore të gjera dhe tridimensionale.

Klasa Zhurmëtare thuhet se shënon një moment të ri në artikulimin artistik të Halilajt. "Kjo është hera e parë që bankat shfaqen si objekte skulpturore të varura në mur. Më parë, bankat ishin elemente të integruara në instalacione më të mëdha, por asnjëherë nuk janë kombinuar dhe modifikuar për t’u bërë vepra të pavarura arti".

Për të shoqëruar ekspozitën, Halilaj ka ftuar kuratoren shqiptare Eriola Pira, për të organizuar një seri prej tre punëtorishë gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës (14 shtator, 28 shtator dhe 19 tetor, secila duke filluar në orën 15:30), duke aktivizuar klasën si një hapësirë për të përjetuar dhe mishëruar gjuhën shqipe.

 


MË SHUME NGA Kulturë