Ukaj: BE-ja duhet të jetë më rigoroze me Serbinë
BKT
Lajme

Ukaj: BE-ja duhet të jetë më rigoroze me Serbinë

E. Hoti / RTKlive

“Duhet të ketë një presion më të madh ndaj Serbisë nëse vërtetë dëshirojmë që procesin dialogues ta vëmë në binarë, e po ashtu ajo të detyrohet t’i zbatojë marrveshjet që vet është dakorduar më herët që nga viti 2012 e deri në dakordimin e fundit në Bruksel dhe në Ohër”. Kështu deklaroi në “Info Plus”, njohësi i zhvillimeve politike, Fidan Ukaj.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të organizojë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar agjendat e reformave, që janë parakusht për të nisur pagesat e para nga Plani i Rritjes.

Njohësi  i zhvillimeve politike, Fidan Ukaj  tha se është një lajm inkurajues nga ana e Komisionit Evropian i cili e ndanë këtë shumë për vendet e Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të plotësohen kushtet për anëtarësim në BE.

Ukaj tha se megjithatë Kosova dhe Serbia kanë parakushte shtesë për t’i plotësuar për dallim nga vendet e rajonit si normalizimi i raporteve dhe zbatimin e dakordimeve të arritura në Bruksel dhe në Ohër.

“ Edhe pse Kosova e ka dorëzuar një plan, megjithatë statuskuoja ku gjendemi në procesin dialogues mendoj se Kosova dhe Serbia nuk do të jenë përfituese të këtyre fondeve dhe do të prolongohet mundësia e qasjeve në fondet e BE-së”, deklaroi ai në emisionin “Info Plus”në RTK . 

Ai tha se është pesimist se do të ketë një zhvillim pozitiv në procesin dialogues dhe sipas tij Bashkimi Evropian me besimin që i ka dhënë emisarit Lajçak e ka dëmtuar procesin dialogues.

Tutje ai tha se nëse BE dëshiron që këto fonde t’i ndajë në mënyrë proporcionale me vende të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë më rigoroz sidomos me Serbinë.

 “Duhet të ketë një presion më të madh ndaj Serbisë nëse vërtetë dëshirojmë që procesin dialogues ta vëmë në binarë, e po ashtu ajo të detyrohet  t’i zbatojë ato që vet është dakorduar më herët që nga viti 2012 e deri në dakordimin e fundit në Bruksel dhe në Ohër” .

Mes tjerash ai tha se tani kur procesi i Berlinit po na thërret që t’i bashkohemi e t’i përshpejtojmë reformat, tani kjo kryeneçësia që mos t'i bashkohemi ndoshta me kushte e kritere është një qasje e gabuar.

“CEFTA nënkupton lëvizjen e lirë, tregtinë e lirë pa pengesa dhe mendoj se është shumë më mirë me qenë pjesë e saj dhe problemet që na i shkakton Serbia dhe Bosnja të adresohen në BE dhe në Procesin e Berlinit”, nënvizoi ai .

Ndryshe Plani i rritjes është pakoja më ambicioze për rajonin në shumë prej 6 miliard eurosh me qëllim të dyfishimit të ekonomive në dhjetëvjeçarin e ardhshëm.

Kosova ishte shteti i parë që dorëzoi agjendën e reformave në Bruksel.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, vendi mund të përfitojë mbi 880 milionë euro, të ndara në formë të parave pa kthim dhe kredive të volitshme.


MË SHUME NGA Lajme