RTK TV e RTK Radio me edicion special në 25-vjetorin e themelimit
G.K/RTKlive
Radiotelevizioni i Kosovës të enjten shënon 25-vjetorin e themelimit. Me këtë rast, RTK ka përgatitur një program special gjithëditor që nga ora 7 e mëngjesit dhe do t`i rikthejë disa nga emisionet më të njohura në fillet e themelimit dhe figurat e ekranit.
Në çerekshekullin e themelimit, RTK televizioni dhe RTK radio vijnë me programe të veçanta ku rrugëtojnë në 25 vitet e pasuruara me histori dhe ngjarje të mëdha.
Programi i Televizionit të Kosovës
Të enjtën me 19 shtator, nga ora shtatë e mëngjesit, RTK do të rikthejë disa nga emisionet më ikonike dhe figurat e ekranit që kanë formuar dhe zhvilluar kulturën mediatike të Kosovës.
Mes tjerash, do të shfaqen intervista dhe ekskluzivitete me punonjësit e parë të RTK-së, histori dhe përvoja të paharueshme të atyre që ndihmuan në ndërtimin e këtij institucioni të rëndësishëm.
Në Televizionin e Kosovës do të transmetohen historiku i programit të mëngjesit e përmbledhje të emisioneve të mëngjesit, përmbledhje të emisioneve për fëmijë, histori e përmbledhje të emisioneve për të rinj e atyre argëtuese, emisionet e komuniteteve, të sporit, e shumë emisione të vjetra të cilat janë pjesë e rëndësishme e ndërtimit të RTK-së.
Programi i Radio Kosovës
Program special do të ketë edhe Radio Kosova në të dyja kanalet.
Duke nisur prej orës 06:00 deri në mesnatë, do të transmetohen kronika, intervista, dokumentarë e materiale të shumta, përmes të cilave shpalosen të arriturat dhe sfidat e Radio Kosovës dhe RTK-së si dhe historia e themelimit të dy kanaleve.
Të ftuar specialë do të jenë Elita 5, Shpat Deda, Jericho, MC Kresha, e të tjerë. Do të ndiqni edhe shumë materiale të tjera, që përmbyllen me Programin e Natës me një mini-koncert në studio.
Këtë vit jubilar, Radio Kosova lanson fushatën për ndihmë shkollave fillore në zona rurale.
RTK për 25 vjet e ka dëshmuar historinë, duke u kthyer edhe vet në pjesë të saj.























