Kumnova: Ende ka njerëz që më njohin nga ekrani i RTK-së
K. Kasumi - Sh. Gashi/RTKlive
Në këto dy dekada e gjysmë RTK ka arritur të përballet me sfida të ndryshme por që ka arritur të transformohet në një shtyllë të rëndësishme të informacionit e po ashtu edhe të kulturës në Kosovë. E një nga figurat që ka qenë pjesë e programit “Mirëmëngjesi Kosovë” është edhe Kestrin Kumnova.
Ai në emisionin e sotëm falënderoi stafin për ftesën që i është bërë për të qenë mysafir në shënimin e 25-vjetorit të RTK-së.
“Në periudhën e fundit i kam pasur dy-tri kontakte të punës me njerëz që ende po më mbanin mend prej televizionit. Kanë kaluar trembëdhjetë vjet që nuk paraqitem në ekran por ende kishte njerëz që po më mbanin mend”, tha Kumnova në emisionin e “Mirëmëngjesi Kosovë”.
Ai kujtoi momentin kur i është bërë kërkesa për t’u bërë pjesë e programit të mëngjesit.
“Me radion kam qenë më i lidhur. E mbaj mend kur më ka ftuar drejtori i atëhershëm Agim Zatriqi për program të mëngjesit. Unë i pata thënë jo sepse jam mirë në radio. Nuk kam pasur ambicie të mëdha. Sigurisht pastaj në punë s’mund t’i shmangesh asaj dhe tërheqjes kur publiku fillon të të njeh e të bëhesh pak figurë publike”, shtoi ai.
Ndërkaq, gazetarja dhe moderatorja e programit, Alketa Fazliu kujtoi ditën kur pikërisht bashkë me Kestrin Kumnovën kishte filluar prezantimin e programit në RTK.
“Prezantimi imi i parë në Radiotelevizionin e Kosovës ka qenë pikërisht me Kestrinin. RTK më ka dhënë shumë edhe hapësirë mediatike edhe gjithçka tjetër çfarë kam dashur të marrë nga ky profesion. Hapësirat kanë qenë në program të mëngjesit vazhdueshëm të mira e pastaj ka 10-12 vjet që prezantoj edhe edicionin qendror të lajmeve dhe gjithashtu realizoj edhe një kronik për librin në mëngjes”, tha ajo.
Alketa tutje me shaka theksoi se energjia me fillimet e saj në RTK është e njëjtë, por se ndryshimi i vetëm që vëren është që i janë thinjur pak flokët.























