Përfundoi dëshmia e Berishës në Speciale
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar, ora 14:00) Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të ZPS-së, Halim Berisha, Prokuroria thirri sot në gjykatë dëshmitarin e saj të 88-të. Ky është dëshmitari i mbrojtur W04366, i cili, sipas ZPS-së, u arrestua nga disa pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1999 dhe më vonë u mor dhe u keqtrajtua në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri. Edhe ky dëshmitar ka dëshmuar përmes videolidhjes.
I hiqen masat mbrojtëse, dëshmitari Halim Berisha dëshmon pa masa|Video
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ka nisë dëshminë e tij, dëshmitari Halim Berisha, të cilit me kërkesë të tij i janë hequr masat mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj ish- krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Kërkesën për heqjen e masës së dëshmitarit është parashtruar nga avokati i tij, Kadri Osaj.
Në seancën Zyra e Prokurorit të Specializuar ka thënë se ky dëshmitar ishte intervistuar si i dyshuar në janar të 2020-ës për çka vetë dëshmitari kishte hequr dorë me shkrim nga e drejta e tij për të pasur avokat.
“ZPS-ja e ka intervistuar vërtetë si të dyshuar dëshmitarin në janar të vitit 2020 dhe kjo është bërë në përputhje me rregullat e Rregullores dhe nenin 38 të rregullës 32 dhe 34. U informua qartë, për të drejtat e tij si i dyshuar që të mos fliste dhe të kishte një avokat. Pra, ai hoqi dorë me shkrim nga kjo e drejtë në përputhje me rregullën 33 (3) dhe mbrojta u informua përkatësisht me këtë”, ka deklaruar prokurori Filipo De Minicis, duke shtuar se dëshmitari ka hequr dorë vullnetarisht nga kjo e drejtë.
Halim Berisha ësht dëshmitari i 87-ti në këtë proces. Dëshmia e tij pritet të të zgjas përafërsisht një ditë.
Sipas gjyqtarit Charles Smith III, pyetjet e ZPS-së parashikohet që të zgjasin një orë, kurse ekipet e mbrojtjes dy orë për kundërpyetjet e tyre.
Në seancën e sotme, katër ish-krerët e UÇK-së janë të pranishëm në sallën e gjyqit përmes video-lidhjes ashtu si dëshmitari i sotëm. Lidhur me këtë, kryegjyqtari tha se për këtë ka leje.























