Gërvalla: Nuk ka qenë e lehtë ta sjellim RTK-në në 25 vjet
Medina Pasoma / RTKlive
Drejtori i Televizionit të Kosovës,Rilind Gërvalla, në 25-vjetorin e themelimit, ka thënë se rrugëtimi i transmetuesit publik nuk ka qenë i lehtë. Ai ka folur për sfidat të cilat e shoqërojnë RTK-në ndër vite.
“Në këto 25 vjet nuk ka qenë e lehtë ta sjellim RTK-në në gjendjen që është tani. Problemet janë të njëjtat pothuajse. Problemi i pronës është qenësor, ne sot e shfrytëzojmë një objekt që nuk është për televizion, është improvizuar për t’u vendosur Televizioni i Kosovës dikur, por nuk që nuk i plotëson kushtet”, ka thënë ai.
Gërvalla ka përmendur problemet financiare, të cilat janë ndikuese në skemë programore të RTK-së dhe pamundësinë për të rekrutuar staf të ri.
“Ne nuk kemi studio të mjaftueshme për emisione të ndryshme, kemi ambicie për zgjerim programi me emisione të reja por për këtë duhet investim, pra kemi të bëjmë me problem financiar”, ka thënë ai.
Ai ka kujtuar fillet e transmetuesit publik, duke përmendur kolegët të cilat dhanë mund për hapat e parë të televizionit.
“RTK startoi me një ekip gazetarësh profesionistë të asaj kohe, shumica e tyre ishin gazetarët dhe reporterët e luftës. Pra profesionistë të Televizionit të Prishtinë, të cilët me çdo kusht dhe me shumë ngulm kanë kërkuar që të rihapet Radio Televizioni i Kosovës”, ka thënë ai.























