Lucas: Themelimi i RTK-së, arritje e madhe
BKT
Lajme

Lucas: Themelimi i RTK-së, arritje e madhe

Medina Pasoma / RTKlive

Drejtori i dytë i përgjithshëm i Radiotelevizionit të Kosovës në kohën e administrimit ndërkombëtar, Richard Lucas, ka thënë se transmetuesi publik i një vendi është pasuri, ndërkaq ka shtuar se ndjehet krenar për themelimin e RTK-së.

“Unë erdha në verën e vitit 2000 dhe isha drejtori i dytë i përgjithshëm, qëndrova aty për dy vite. Pastaj vazhdova si këshilltar ndërkombëtar për gjashtë vjet. RTK ka qenë gjithnjë e veçantë për mua. Kur arrita unë atje, kishte vetëm dy orë transmetim, ishte shërbim emergjent. Një nga vendimet e para ishte rritja e orëve të transmetimit me programe popullore, arritëm në katër, gjashtë dhe pastaj në pesëmbëdhjetë orë program. Kishim investuar shumë në cilësinë e gazetarisë, zgjeruam programin për pakica dhe përmirësuam infrastrukturën teknike me pajisje të reja”, tha ai në një intervistë për RTK-në.

Në mesin e disa sfidave, Lucas tha se ajo më e madhja ishte që të ndihmonin opinionin publik për të kuptuar se RTK ishte transmetues me redaktim të pavarur, pa anim politik dhe të ofrojë shërbim që garanton besueshmëri.

“Një prej faktorëve më të rëndësishëm në cilindo organizatë është stafi. Mund të arrihet sukses vetëm për shkak të njerëzve që punojnë aty. Dua të falënderoj të gjithë ata njerëz që kanë punuar në RTK. Kemi arritur shumë sepse themeluam RTK-në si transmetues goxha të suksesshëm. E gjetëm vendin në komunitet me mjaft respekt. Nëse dua të dërgoj një mesazh ajo është se transmetuesi publik është pasuri e çmueshme në çdo shoqëri. Ajo që do t’i them secilit në Kosovë është se ju lutem ta ndihmoni të vazhdojë të jetë i fuqishëm, për ju që jeni në RTK sigurohuni që programet të jenë të pasura dhe të shikueshme, gazetaria të jetë e drejtë dhe e sinqertë”, ka dhënë porosi Lucas.


MË SHUME NGA Lajme