Brukseli e Beogradi s`tregojnë nëse është tërhequr letra e Serbisë
BKT
Lajme

Brukseli e Beogradi s`tregojnë nëse është tërhequr letra e Serbisë

Anamari Repiç/Beograd/ RTK

Beogradi zyrtar nuk e ka mohuar e as pranuar, nëse e ka tërhequr letrën me të cilën e informonte Brukselin se nuk do t’i zbatojë marrëveshjet e arritura. Ish-kryeministrja Bërnabiq tha se tani nuk është koha e duhur për të zbuluar të vërtetën, ndërsa presidenti Vuçiq pretendon se “nuk e ka idenë” për letrën.

Një mister dhe një aferë, kështu mund të përshkruhet rruga e paqartë e një letre me vijat e kuqe të Serbisë ndaj Kosovës. Përkatësisht, ende nuk dihet fati i letrës që kryeministrja e atëhershme, Ana Brnabiq i dërgoi Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme, ku shpreh rezerva për pjesët e Marrëveshjes së Ohrit, të cilat i referohen mundësimit të anëtarësimit të Kosovës në OKB.

I dërguari special i BE-së, Miroslav Lajçak, në fillim të shtatorit, deklaroi se Serbia e tërhoqi atë letër. Ndërkohe, Beogradi zyrtar nuk e ka mohuar as pranuar këtë, por është duke e heshtur me kontradikta të qarta.

Brnabiq tha se “tani nuk është koha e duhur për të zbuluar të vërtetën”, ndërsa presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq pretendon se “nuk e ka idenë” për letrën, dhe se “nuk ka asnjë problem me Marrëveshjen e Ohrit”, e cila nënkupton disa obligime edhe pse nuk është nënshkruar.

Beogradi vazhdimisht ka theksuar se me këtë letër sqaron qëndrimin e Serbisë se Marrëveshja e Ohrit nuk do të thotë njohje e Kosovës dhe se vijat e kuqe janë që të mos pranohet anëtarësimi i Kosovës në OKB.

Sipas analistit politik Dragan Popoviq edhe kjo temë është pjesë e dialogut. 

“Mendoj se tërheqja e letrës është objekt diskutimi dhe për këtë arsye nuk ka një përgjigje të qartë nga pala serbe nëse është tërhequr apo jo”, thote ai.

Megjithatë, për të tjerët, heshtja e Beogradit është një shenjë e qartë. Juristi Alleksandar Ollenik thotë për RTK-në se edhe heshtja flet.

“As Brnabiq, as Vuçiq, as askush tjetër nuk e mohuan Lajçakun. Pra, me këtë ata pranuan se letra ishte tërhequr dhe se është e vërtetë që vetë presidenti i Serbisë thotë se e ka pranuar gojarisht Marrëveshjen e Ohrit dhe se fjala e tij e detyron Serbinë në të drejtën ndërkombëtare. Dhe nëse shikojmë situatën në terren, Beogradi po zbaton gjithçka që është rënë dakord në marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit”, tha Ollenik.

Përfaqësues të partive opozitare theksojnë se letra është tërhequr dhe se deklarata kontradiktore nga pushteti paraqesin përpjekje për riparimin e dëmit në nivel të brendshëm.

Zoran Llutovac, presidenti i Partisë Demokratike, tha për media në Beograd se arsyet pse pushteti hesht është “mënyra e qeverisë se Vuçiq”.

“Beogradi hesht sepse është e pakëndshme kur një gjë e thua publikisht dhe një tjetër e bën fshehurazi”, tha Llutovac.

Edhe Zdravko Ponosh kryetar i partisë Qendra Serbe, në një deklarate për media tha se letra është tërhequr vërtet.

Këto pretendime të fundit se letra nuk është tërhequr në fund të fundit paraqesin vetëm shpëtimin e Vuçiqit”, thotë Ponosh dhe shton se është interesante që Vuçiq “nuk thotë se letra nuk është dërguar, por se nuk e ka dëgjuar”.

Opozita kritikon qeverinë se nuk ua ka përcjellë qytetarëve informacionin kyç për negociatat me Prishtinën dhe se të gjitha paqartësitë në lidhje me letrën janë vetëm një përpjekje e pushtetit për të shmangur reagimet e qytetarëve.


MË SHUME NGA Lajme