Dëshmitari: Nuk i kemi arrestuar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin
Sh.Ç/RTKlive
(E plotësuar) Dëshmitari Demush Krasniqi gjatë seancës ka thënë se nuk është e vërtetë që se ata e kanë arrestuar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin. Ai u pyet nga mbrojtja e Thaçit për ta sqaruar këtë situat pasiqë në shumë media ka dal që ai së bashku me Fehmi Kryeziun dhe Skënder Hotin e kishin arrestuar Cen Deskun dhe Jakup Kastratin.
“Shumë media, kanë raportuar për arrestim, që ne i kemi arrestuar. Nuk është e vërtetë. Edhe në deklaratën e parë dhe të dytën iu kam thënë ju lutem mos e përmendeni fjalën arrestim se nuk është e vërtetë”, tha dëshmitari.
Dëshmitari ka theksuar se Hashim Thaçin nuk e kishte parë atë ditë kur ishin marrë dy personat e lartpërmendur me veturë.
“Nuk ka qenë. Nuk e kam pa dhe nuk ishte”, ka thënë dëshmitari, duke shtuar se nuk ka parë ndonjë urdhër me shkrim për arrestimin e Cen Deskut dhe Jakup Kastrati.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq i kujtoi dëshmitarit se i ka thëne ZPS-së që ai ka qenë duke qëndrua në rrugë me dy personat e tjerë kur ka arrit një veturë e cila i mori Deskun dhe Kastratin. Ndërsa për veturën që iu bashkua veturës së parë, ai tha se nuk e din a kishin lidhje me njëra-tjetrën.
“Po kishte emblema të UÇK-së”, tha dëshmitari për veturën e parë kur u pyet se si dukej ajo veturë.
Më pas, dëshmitari u pyet se nga e dinte se vetura ishte e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
“Personat që dolën nga vetura ishin dy ushtarë edhe neve na panë duke biseduar aty. Ishim unë, Skënder Hoti, Fehmiu dhe disa ushtarë. Na thanë kemi ardhë t’i marrim dy njerëz që janë në shtëpinë e OSBE-së këtu. Nuk e kemi ditur për kë është fjalë. Nga ne shkoi Fehmiu se ishte me i ri – trokiti në derë dhe i thirri. Kur dolëm i pamë kush janë”, tha dëshmitari duke shtuar se nuk ka pas në veturë mbishkrim ‘Shtabi i Përgjithshëm’.
Gjatë seancës dëshmitari mohoi se ishte në dijeni që Jakup Kastrati kishte thënë që ai ishte njëri nga personat që ishte përfshirë në arrestimin e tij
Dëshmon Demush Krasniqi në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 89-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Demush Krasniqi i cili mban kodin 03885 në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori James Pace, ka filluar të bëjë pyetje për dëshmitarin.
Ndërsa, sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurori, i njëjti kishte qenë i pranishëm kur ishin liruar Cen Desku dhe Jakup Kastrati.
“Dëshmitari 03885 u kyç në njësitin Lumi në Balincë të Malishevës rreth majit të 1998-ës. Më pas, shërbeu si anëtar i Policisë Ushtarake në Brigadën 122. Dëshmitari 03885 ka qenë në Dragobill me Fehmi Kryeziun dhe Skënder Hotin kur një veturë me shenja të UÇK-së mbërriti me dy ushtar që u prezantuan si pjesëtar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe i kërkuan dëshmitarit 03885 dhe të tjerëve të shkonin dhe të thërrisnin dy persona që të merrnin pjesë në një mbledhje me OSBE-në. Dëshmitari 03885 dhe të tjerët morën Jakup Kastratin dhe Cen Deskun nga një takim dhe i shoqëruan tek vetura. Kastrati dhe Desku hyn në veturë. Një veturë tjetër u shfaq më pas dhe të dyja veturat u larguan së bashku. Dëshmitari ka qenë i pranishëm kur Kastrati, Desku dhe të tjerët u liruan rreth një muaj pasi i kishin marrë prej Dragobillës”, ka theksuar prokurori.
Prokurori ka deklaruar se Krasniqi do të jep dëshmi edhe sa i takon rolit të tij në UÇK, vijave të raportimit të njësive të UÇK-së etj.
“Dëshmitari po ashtu jep informata sa i takon rolit të tij dhe të tjerëve në UÇK si dhe konstruktuarës, veprimtarive, kompetencave dhe Zonave të Përgjegjësisë dhe vijave të raportimit të njësive të UÇK-së përfshirë njësitin Lumi, Brigadën 121 dhe 122 si dhe njësitë e Policisë Ushtarake të UÇK-së”, ka theksuar prokurori.
Dëshmitari ka thënë se i qëndron deklaratave që ka dhënë për Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe ZPS-në.
Sipas kryegjyqtarit, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjas rreth gjysmë dite e që nga kjo kohë, gjysmë ore i ka kërkuar Prokuroria për pyetjet e veta. Ndërsa, mbrojtja ka parashtruar se i duhen rreth dy orë e 30 minuta për kundërpyetje.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III njoftoi se ka ndryshime në orarin e seancës të se enjtes. Ai tha se pushimin e drekës do ta bëjnë vetëm për një orë duke filluar nga ora 13:00 deri në orën 14:00 e që seanca e pas pushimit do të zgjasë vetëm deri në orën 15:00.
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 88-të në gjykimin ndaj ish-krerwve tw UÇK-sw, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmia e këtij dëshmitari u dëgjua e gjitha në sesion privat për publikun, duke përfshirë edhe kundër-pyetjet e mbrojtjes.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Filipo De Miniçis dëshmitari ishte arrestuar nga anëtarët e UÇK-së dhe ishte dërguar në Fabrikën e Metalit në Kukës dhe do të japë dëshmi sa i takon vdekjes së një personi atje.























