Shaqiri: RTK ndërtimin e opinionit publik e ka përmbushur vazhdimisht
K. Kasumi / RTKlive
Në emisionin “Voyage”, që u shfaq mbrëmë në RTK me temën “25 vjet, ndikimi i RTK-së në tregun medial shqiptar”, mysafirët Sylejman Shaqiri, Rabisha Muhaxhiri, Blerim Vuniqi dhe Shkumbin Istrefi folën për ndikimin e RTK-së në tregun medial.
Sylejman Shaqiri, ish-drejtor general i Radio Televizionit të Kosovës, gazetar, redaktor, theksoi se gazetaria televizive dhe ajo e radios fillon me RTK-në. “Në Kosovë ka filluar shumë herët, diku gjatë Luftës së Dytë Botërore, e ka vazhduar deri në vitin 1990, kur na kanë larguar nga puna dhe është rinisur në vitin 1999. Për mua personalisht gazetaria ka filluar më 20 qershor.
"Radiotelevizionit të Prishtinës nuk iu njoh kontinuiteti. Ne vetëm u vendosëm në lokalet e Radio Prishtinës sepse programi filloi më 19 shtator në studiot që ishin në lokalet e Radio Kosovës, më vonë kemi kaluar këtu. Në fillim ndërkombëtarët e nisën me 5 gazetarë. Asnjëri prej tyre nuk ishte i RTP-së. U bë një presion nga Sindikata e Radio Televizionit të Prishtinës. Sindikata delegoi 5 gazetarë. Në mesin e tyre isha edhe unë, mirëpo nuk na trajtonin, nuk kishim marrëdhënie pune dhe disa mbetëm e disa u larguan për t’u kthyer më vonë. Impakti që në fillim ishte tepër i ndjeshëm, tepër i madh. Edhe Radio Televizioni i Prishtinës edhe Radio Televizioni i Kosovës misionin primar e kishte dhe e ka ndërtimin e opinionit publik, në radhë të parë atij politik dhe këtë mision e ka përmbushur në vazhdimësi”, pohoi Shaqiri.
Rabisha Muhaxheri, një prej njerëzve të parë që ka qenë dhe vazhdon të jetë pjesë e RTK-së, tha se “RTP nuk do të thosh që ka arritur ta kryejë misionin për çfarë gazetarët, redaktorët, puntorët e kanë pasur mision të tij, në njëfarë mënyre edhe kombëtare. Ne duhet të pranojmë sot, se 25 apo 35 vjetëshi nëse ky dhjetë vjetëshi na u ka siprimuar edhe ne si punëtorë të RTP-së dikur, nga tani institucionet tona duhet të pranojnë sistemin monist se ka pasur media klandestine apo të momentit politik, ndërkohë që RTP edhe në vitet 75-90 ka ekzistencen e vet me produkte me prodhime. Jam idhtare dhe dua ta potencoj e ka kryer edhe një mision tjetër: edukimin e popullit tonë edhe në këtë aspektin mediatik”, pohoi ajo.
Ndërkaq Blerim Vuniqi, redaktor sporti, tha se prej “vitit 2003 kur kam ardhur në Radiotelevizionin e Kosovës dhe jam munduar që ta ngreh nivelin e sportit në Radotelevizionin e Kosovës këtë e kam arritur”.
“Në atë kohë kur unë kam ardhur vetëm 30 minuta i janë kushtuar sportit, por pastaj pas ardhjes time është shumëfishuar falë edhe bashkëpunimit të mirë me menaxhmentin, janë marrë ngjarje sportive të cilat për ato ngjarje janë bërë emisione speciale qoftë Kampionati Botëror, qoftë lojëra olimpike, qoftë Liga e Kampionëve që ka hasur në përkrahje të madhë të shikuesëve. Kampionati Evropian ka qenë në 2004, në atë vit janë marrë shumë ngjarje sportive, liga më e fortë amerikane e basketbollit, euroliga, liga e kampionëve, do të thotë ngjarje të shumta sportive edhe emisione të shumta që i kanë përcjellë këto ngjarje”.
RTK njihet, përveç në sfera të tjera, edhe për zhvillimin e serialeve pas luftës, të cilat kanë pasur audiencë shumë të madhe, siç ka qenë “Familja moderne”, pastaj “Kafeneja jonë”, që është prodhim i producentit Shkumbin Istrefi në bashkëpunim me RTK-në.
Shkumbin Istrefi, producenti i një prej serialeve më të shikuar në RTK, tha se komuniteti artistik dhe aktivitetet artistike janë zhvilluar kryesisht në teatrin “Dodona”.
Istrefi shtoi se RTK-ja, në momentin që është hapur, na i ka hapur dyert që aktivitetet t’i bartim përmes televizionit te një audiencë e gjerë.























