Përurohet rruga `Afrim Bunjaku`, kërkohet dorëzimi i Radoiçiqit
E. Hoti / RTKlive
Rruga rajonale, segmenti Ballaban – Banjskë, ka marr emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku. Në zbulimin e pllakës që mban emrin e heroit kanë marrë pjesë, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti ka thënë se terroristët që kanë organizuar sulmin në Banjskë para një viti kanë qenë të përgatitur për një konflikt më të gjerë e më të gjatë.
“Rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku ishte bashkë me kolegët e tij në vendin ku ishte përgatitur kurthi për vrasjen e policeve tanë nga paramilitarë terroristë të cilët janë orkestruar dhe financuar nga Serbia dhe të cilët paraprakisht kishin sjellë shumë armatim në Kosovë për një konflikt më të gjerë dhe më të gjatë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka theksuar që sulmi në Banjsakë ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror të Kosovës.
“Nga konfiskimet e armatimit që ka bërë Policia e Kosovës në Zveçan del që 105 lloje të armëve janë konfiskuar dhe mbi 80 mijë municion. Kjo tregon që Banjsaka e 24 shtatorit 2023 ka qenë një plan për ta sulmuar Kosovën, ka qenë një agresion kundër sovranitetit shtetëror, integritetit territorial, paqes sigurisë , kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë “, ka theksuar ai.
Kurti ka deklaruar se Kosova nuk e harron asnjëherë heroin dhe për këtë arsye në këtë vend u zbulua ‘tabela e cila shënon emërtimin e ri të kësaj rruge, pra Afrim Bunjaku sipas vendimit të mbrëmshëm të qeverisë së Kosovës’.
Kreu i qeverisë ka thënë se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi për sulmin në Banjskë, teksa ka kërkuar që Radojçiq dhe kriminelët tjerë t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës.
“Policia e Kosovës është multietnike. Ajo ju shërben të gjithë qytetarëve, por kriminelët e llojit të Radoiçiqit,Veselinoviqit nuk mund të jenë të lirë në Kosovën demokratike. Ata fitojnë tenderë dhe sillen lirë në Serbinë autokratike ruse. Përgjegjëse është Serbia dhe ajo duhet të mbajë përgjegjësi. Radojçiq dhe kriminelët tjerë duhet t’i dorëzohen autoriteteve të Kosovës. Plani ishte që të ndahet Kosova dhe rënia e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë, përkundrazi ajo është fitore e madhe për Kosovën”, ka theksuar Kurti.























