Sveçla: Sulmi terrorist dhe rënia e Afrimit, kthesat që ndryshuan rrethanat
V.Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Në akademinë përkujtimore në nderim të rënies në krye të detyrës së heroit Afrim Bunjaku, gjatë një sulmi nga një grup terrorist serb në Banjskë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se sulmi terrorist i 24 shtatorit dhe rënia e heroit Afrim Bunjaku ishin kthesa që ndryshuan rrethanat në Kosovë në rajon dhe më gjerë.
Ky sulm shpërfaqi plotësisht Serbinë, nuk ka ndryshuar asgjë në natyrën e saj agresive ndaj shteteve fqinje. Regjimi në Beograd provoi dhe dështoi dhe nëse provon serish do të dështon”, tha Sveçla.
Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës më vendosmëri e sovranitetit territorial dëshmon se Kosova është jo vetëm Republikë e drejtësisë, por edhe aftësimit këto janë virtyte që i duhen institucioneve të shtetit të cilat i bart policia e Kosovës.
“Policia shpalli vërtetësinë e betimit për mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës me çdo kusht dhe me jetë”, u shpreh Sveçla.
Ai u shpreh se i përulet më trup e me zemër sakrificës së Afrim Bunjakut për rend e ligj për atdheun e që është vendosur një fitore e pakthyeshme për atdheun.
“Puna e Afrimit dhe secilit pjesëtarë policor të vendit ka bërë të mundur asgjësimin e grupeve kriminale e terroriste, kthimin e normalitetit në veri dhe kthimin e sigurisë për te gjithë qytetarët”, tha ai.
Hoxha: Afrimi ishte një epror policie shembullor, trim dhe njëri i dashur

Ndërsa Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në këtë Akademi tha se Afrim Bunjaku është ngjitur në piedestalin më të lartë që mund të ketë një shtet dhe një komb, ky është epitet që ai e meritoi me punë dhe angazhim.
“Afrimi ishte një epror policie shembullor, ishte trim, guximtar, epror profesional, njëri i dashur, familjar i mirë, një epror i guximshëm dhe i përgatitur”, tha Hoxha.
Hoxha shtoi se veprimet e Afrimit ishin veprime që diktuan suksesin e operacionit në Banjskë dhe u pamundësuan veprimet taktike që ata i kishin planifikuar terroristët.
Tutje drejtori u shpreh krenar që udhëheqë policinë që ka djem dhe vajza si Afrimi.
“Ju familje e tij duhet të jeni krenar se çfarë njeriu keni pasur në mesin tuaj dhe për veprat e tij. Duhet ta kujtojmë me nder dhe respekt të lartë, ai nuk ka vdekur. Ata që vdesin për atdhe nuk kanë vdekur por kanë le”, u shpreh Hoxha.
Hoxha deklaroi se si polici do të jenë të pa kompromis ndaj krimet dhe paligjshmërinë, dhe garantoi që do të punojnë shumë që mos te këtë hapësira ku do të mbizotërojë krimi, njëherësh kërkoi nga kryeministri dhe anëtarët tjerë të kabinetit, nga përfaqësuesit ndërkombëtar që ti mbështetin në luftën e pa kompromis që e kanë.
Po ashtu, ai kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që vazhdoi presionin ndaj Serbisë që ta dorëzojë Radoiçiqin dhe terroristët tjerë sepse, sipas tij, nëse ata vazhdojnë të jenë të lirë rreziku për vendin akoma është prezent.























