Në seancë të mbyllur po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 90-të
BKT
Gjykata Speciale

Në seancë të mbyllur po dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të 90-të

(E plotësuar) Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të mërkurën ka filluar dëshminë dëshmitari i 90-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i cili mban kodin W4422 në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmia e këtij dëshmitari është duke u dëgjuar tërësisht në seancë të mbyllur dhe nuk u lexua ndonjë përmbledhje siç ndodhë zakonisht për dëshmitarët e Prokurorisë. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ky dëshmitar është duke dëshmuar përmes video-lidhjes.

Përpara se të vazhdohet me dëshminë e dëshmitarit,  Smith ka kërkuar që të diskutohet për kërkesën e ZPS-së që dëshmitari me kodin W04590 të dëshmojë përmes video-lidhjes.

Në emër të mbrojtjes së të gjithë të akuzuarve, avokatja e Veselit, Ann Roëan  ka theksuar se nuk kanë kundërshtime që të vazhdohet me video-lidhje me këtë dëshmitar, por sipas saj arsyet e paraqitura në kërkesë nuk përmbushin kriteret përkatëse të Rregullores.

Kryetari i trupit gjykues ka theksuar se të akuzuarit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi kanë hequr nga e drejta e tyre për të qenë të pranishëm fizikisht në sallën e gjyqit dhe se ata po e përcjellin seancën përmes video-lidhjes. Ndërsa, Rexhep Selimi ishte prezent fizikisht në sallë.

Fillon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e fundit ka dëshmuar Demush Krasniqi. Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.


MË SHUME NGA Gjykata Speciale