Maqedonci: FSK do të ketë tri regjimente të këmbësorisë
V.Thaçi / RTKlive
(E plotësuar) Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se në fund të vitit 2025 FSK do të ketë tri regjimente të këmbësorisë të validuara për të realizuar detyra luftarake në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Ministri Maqedonci deklaroi se vetën tri vitet e fundit rreth 249 milionë euro janë shpenzuar për blerje të sistemeve të armatimit dhe se janë mbi 4mijë pjesëtarë aktiv të sistemuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
“Sa i përket kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, mirëmbajtja e kapaciteteve aktuale të mbështetjes ushtarake për autoritetet civile, rritja e mbikëqyrjes civile-demokratike dhe rritja e bashkëpunimit bilateral dhe multilateral me vendet partnere në Ministrinë e Mbrojtjes”, Maqedonci. Sipas tij, po punohet për arritjen e këtyre objektivave.
Ai tha se për Ndërtimi i kapaciteteve luftarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës, është bërë jashtëzakonisht shumë punë falë mbështetjes së qeverisë dhe kryeministri i vendit, me rritje dhe buxhet shtesë që ka ndikuar shumë me furnizimin në sistemin e armatimit, në rekrutimin e personelit, trajnimin dhe edukimin e tyre edhe ne vendet jashtë Kosovës.
Sipas tij në fund të vitit 2025 FSK do të ketë tri regjimente të këmbësorisë të validuara për të realizuar detyra luftarake në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Maqedonci shtoi se sistemi i dronëve bajraktar tashmë është operacional në FSK i cili drejtohet nga një njësi e re e cila është krijuar si njësia ajrore pa pilot.
Kurse sa i përket mirëmbajtjes aktuale FSK ka pasur mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Gjermania me pajisje dhe donacione të ndryshme.
Ndërsa për rritjen ndaj mbikëqyrjes civile ministri deklaroi se ka nënshkruar rregulloren për planifikim, programim, buxhetim dhe ekzekutim, e cila sipas tij do të ndihmojë shumë në rritjen dhe fuqizimin e mbikëqyrjes civile ndaj forcës si dhe përfshirjen e Ministrisë së Mbrojtjes në shumë procese të planifikimit së bashku me FSK-në, e cila rregullore praktikohet edhe në SHBA, duke shtuar se për hartimin e rregullores janë ndihmuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë përmes ekspertëve të fushës.
Maqedonci tha se është miratuar edhe programi kombëtar i mbrojtjes gjithëpërfshirëse e cila është relativisht një koncept i ri brenda NATO-s dhe që ka synim që përmes një strategjie qeveritare të përfshijë mbarë shoqërinë në fushën e mbrojtjes dhe në sistemin e mbrojtjes së vendit.
Sipas tij, është shumë e rëndësishme që ka interesim të jashtëzakonshëm për ardhje në FSK dhe daljet nga FSK 3% mund të jenë për shkak të pagesës por daljet janë për shkak shkathtësisë që kanë marrë në FSK dhe mund ti shfrytëzojnë diku tjetër ku marrin pagë më të lartë.
“Për ministrin dhe komandantin e FSK-së prioritet është mbajtja e personelit brenda forcës, jemi duke punuar për hartimin e një koncepti për mbajtjen e personelit brenda FSK-së. Ne nuk jemi të kënaqur me daljet mirëpo këto dalje nuk e kalojnë kuotën e daljeve që po bëhen në vendet tjera”, tha ai.
Maqedonci: Strehimi i terroristëve nga Serbia është shqetësues
"Fillimi i procesit gjyqësor kundër grupit terrorist paramilitar që tentoi një aneksim të pjesshëm të territorit të Kosovës në Banjskë, vitin e kaluar është i mirë pritur dhe pozitiv", tha ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci.
Ai tha se përfundimi i këtij procesi nënkupton vetëm atëherë kur në bankën e të akuzuarve do të jenë të gjithë të implikuarit e veçanërisht drejtuesi kryesor i operacionit paramilitar dhe terrorist Milan Radojqiç.
“Pa vendosjen e tyre në bankën e të akuzuarve nuk nënkuptohet përfundim i suksesshëm i procesit”, tha Maqedonci në emisionin “Info Plus” në RTK.
Sipas tij për këtë është e rëndësishme rritja e presionit ndërkombëtar mbi Serbinë për të dorëzuar terroristët në Kosovë, ku ekstradimi i tyre do të behej sipas rregullave ndërkombëtare, e që deri me tani nuk është parë fare vullnet nga strukturat e Serbisë për të dorëzuar por edhe për t’u distancuar nga vetë veprimi i këtij grupi terrorist.
Ai tha se shqetësuese është vazhdimi i strehimit të tyre nga Serbia brenda territorit të saj dhe vazhdon përkrahjen e tyre ashtu siç e ka përkrahur edhe gjatë sulmit të 24 shtatorit 2023.























