Komandanti i KFOR-i: Avancimi i dialogut Prishtinë-Beograd mbetet thelbësor
G.K/RTKlive
Komandanti në largim i KFOR-it, gjenerali turk, Ozkan Ulutas, ka thënë se avancimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet thelbësor, dhe se me vendosmëri ky dialod është i mundur. Por sipas tij, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të sinqertë nga të dyja palët.
"Ky dialog nuk është vetëm një domosdoshmëri politike, por gjithashtu një imperativ moral për të mirën e gjeneratave të ardhshme”, ka deklaruar komandanti i KFOR-it.
Këto deklarata ai i ka thënë gjatë fjalimit të tij nga selia e NATO-s në Bruksel.
Ulutash ka theksuar se NATO dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja si një kornizë për një zgjidhje të qëndrueshme.
“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë shpresën e përbashkët për të ardhme paqësore dhe të begatë. Tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin. Dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO-ja dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve në pritje. Mbetem optimist se - me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët – këto pengesa mund të kapërcehen”, ka shtuar ai.
Ai tutje ka bërë thirrje për komunitetet në Kosovë që t’i vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim.
“Kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritike janë bashkëpunimi dhe besimi për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse. I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet thelbësor dhe besoj fort se është e mundur. Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është thjesht një domosdoshmëri politike, por edhe morale për hir të brezave të ardhshëm”, ka shtuar ai.
Ulutas ka thënë se gjatë mandatit të tij, një nga aspektet më të rëndësishme ka qenë mbiqkyrja e koordinimit të KFOR-it me BE-në, OSBE-në, OKB-në, institucionet në Kosovë, komunitetin diplomatik në përgjithësi dhe Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe.
Ai ka thënë në fund se është krenar për angazhimin e Turqisë për ruajtjen e paqes dhe mbështetjen e ofruar për misionin e NATO-s në Kosovë.
"Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë popullin e Kosovës dhe komunitetin e KFOR-it, për mbështetjen e tyre gjatë mandatit tim si Komandant i misionit. E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja, dhe unë besoj se kjo e ardhme mund të jetë një e ardhme e ndritur”, ka përfunduar Ulutas në fjalën e tij.























