Kurti e njofton shefen e FMN-së për performancën ekonomike të Kosovës
BKT
Lajme

Kurti e njofton shefen e FMN-së për performancën ekonomike të Kosovës

A.B| RTKlive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takimet në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i vazhdoi me Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës sonë atje.

Kurti dhe shefja e FMN-së, kanë diskutuar në lidhje me performancën ekonomike të viteve të fundit. Kryeministri Kurti fillimisht e falënderoi znj. Georgieva për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndaj Kosovës në ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme institucionale dhe zbatimin e reformave të rëndësishme ekonomike.

Në takim u diskutua edhe rreth zbatimit të programeve që Kosova ka me FMN-në ku u veçua progresi i mirë i programit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (Resilience and Sustainablity Facility) përmes të të cilit Kosovës i është mundësuar rritja e kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme, ndërkohë që u theksua përkushtimi për zbatimin e plotë edhe të programit të Aranzhimit për Gatishmëri (Stand by Arrangement).

Drejtorja Menaxhuese, Georgieva e uroi Kosovën për rezultatet dhe suksesin e arritur në qëndrueshmërinë fiskale, si dhe për zbatimin me sukses të programeve aktuale të IMF. Ajo theksoi që rezultatet e Kosovës në menaxhimin e borxhit publik mund të shërbejnë si shembull edhe për ekonomitë tjera.

Gjatë bashkëbisedimit, gjithashtu u diskutua rreth mundësive të reja të bashkëpunimit në përmbushjen e agjendës së reformave ekonomike, realizmin e investimeve në infrastrukturë dhe energji, përmirësimin e klimës investimeve dhe avancimin e mjedisit për të bërë biznes”, thuhet në komunikatën e qeverisë së Kosovës.

Në takim, bashkë me kryeministrin ishte ministri i Financave, Punës dhe Trasnfereve, Hekuran Murati.

 


MË SHUME NGA Lajme