Kurti takon ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut
BKT
Lajme

Kurti takon ministrin e Punëve të Jashtme të Luksemburgut

B. H. | RTKlive

Kryeministri Albin Kurti në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, takimin e radhës e zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme, njëherësh zëvendëskryeministrin aktual dhe ish-kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel. 

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, në këtë takim ata diskutuan rreth raporteve ndërshtetërore, nivelit të zbatueshmërisë dhe përfitimet nga marrëveshjet bilaterale që Kosova dhe Luksemburgu kanë në fusha të ndryshme, dhe për mundësitë e reja të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare që viteve të fundit kanë shënuar një trend të rritjes.

“Kryeministri theksoi përparimin ekonomik e demokratik dhe respektimin e të drejtave të njeriut, krahas stabilitetit institucional, politikave fiskale, pozitës gjeografike dhe fuqisë punëtore profesionale, si përparësi që Kosova ka për investitorë të huaj. Ai veçoi avancimin dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e informacionit dhe shërbimeve digjitale, dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në drejtim të tranzicionit energjetik, energjisë së ripërtëritshme dhe efiçiencës energjetike që ndikojnë për të mirë si mjedisin ashtu edhe ekonominë”, thuhet në njoftim.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e palëkundur ndaj Kosovës në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për rolin aktiv, ndër të tjera në fuqizimin e shoqërisë, përkrahjen e nismave mjedisore, asistencës teknike, zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe zhvillimit të qëndrueshëm përmes Agjencisë Zhvillimore LuxDev.


MË SHUME NGA Lajme