Kurti takon kryeministrin kroat, flasin për Banjskën e dialogun me Serbinë
BKT
Foto: Zyra e Kryeministrit
Lajme

Kurti takon kryeministrin kroat, flasin për Banjskën e dialogun me Serbinë

V.Thaçi / RTKlive

Në New York, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, me të cilin mes tjerash diskutuan mbi paqen e sigurinë në Ballkan.

Në takimin me kryeministrin kroat , u konfirmua edhe njëherë se raportet mes dy shteteve janë të shkëlqyeshme.

Siç njofton ZKM, në takim u theksua përkushtimi i përbashkët për fuqizimin e marrëdhënieve dhe zgjerimin e tyre në fusha me interes të përbashkët.

Mes marrëveshjeve dhe mundësive për thellim të bashkëpunimit, u veçua fusha e sigurisë si dhe ajo e arsimit për më shumë shkëmbime e trajnime të përbashkëta.

Në këtë takim u bisedua dhe mbi paqen e sigurinë në Ballkan, ku kryeministri tha se Serbia mbetet faktor destabilizues e kërcënues i rajonit.

Ai theksoi sulmin paramilitar të Banjskës nga i cili u shënua dhe një vjetori i këtij akti terrorist tre ditë më parë, si dhe propagandën e vazhdueshme dezinformuese të aparatit shtetëror serb mbi Kosovën e veçanërisht veriun e vendit tonë.

"Mbi dialogun me Serbinë që zhvillohet në Bruksel, Kryeministri ritheksoi përkushtimin e Kosovës ndaj procesit të normalizimit dhe nevojën për respektimin e pakusht, si dhe zbatimin e plotë e pa vonesa të mëtejme të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, teksa Serbia ende nuk po e nënshkruan dhe nuk është e gatshme për ecjen tutje drejt normalizimit të marrëdhënieve", ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

Ndërkohë më herët takimet në New York, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka bërë edhe me Kryeministrin e Grenadës, Dickon Mitchell.

Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate njofton se në këtë bashkëbisedim të parë të tyre, kryeministri Kurti fillimisht shprehu mirënjohjen e Kosovës për qeverinë e Grenadës e cila e kishte njohur shpalljen e pavarësisë 11 vjet më parë pikërisht gjatë Javës së Takimeve të Larta të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Tutje në komunikatë thuhet se gjatë takimit u shpreh interesimi i përbashkët rreth mundësive që çojnë drejt bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, investimeve të huaja, dhe promovim të turizmit. U diskutua edhe për rolin dhe rëndësinë që diaspora ka për të dy vendet, reformat në arsimin dhe nevojën e lidhjes së arsimit me tregun e punës.

Të dy kryeministrat theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në mbështetje të njëra-tjetrës përballë sfidave globale.

Me qëllim të konkretizimit të këtyre mundësive për bashkëpunim, kryeministri Kurti e ftoi në Kosovë për vizitë një delegacion të nivelit të lartë për të hulumtuar potencialin e fushave me interes të përbashkët.


MË SHUME NGA Lajme