Analistët: S’pritet progres në dialog|Video
Arbresha Berisha|RTK
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i vazhdojnë kërkesat ndaj Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura deri më tani. Këto mesazhe iu dërguan dy shteteve edhe gjatë takimeve që patën në Nju-Jork. Pavarësisht presionit, njohës të procesit nuk presin hapa gjatë këtij viti drejt zbatimit të marrëveshjeve.
Dialogu me Serbinë ishte thuajse kryefjala e takimeve që pati kryeministri Albin Kurti të premten me emisarin të këtij procesi e aktorë të tjerë ndërkombëtarë.
Teksa është rritur presioni ndërkombëtar që palët t`i zbatojnë marrëveshjet, kryeministri Kurti theksoi nevojën për nënshkrim e zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.
Pavarësisht mesazheve të njëpasnjëshme që po i dërgohen Prishtinës dhe Beogradit zyrtar, njohës të këtij procesi nuk presin hapa konkretë nga palët gjatë këtij viti.
Ata që përcjellin zhvillimet në procesin e dialogut thonë se Bashkimi Evropian duhet të ndërrojë strategjinë, në mënyrë që t’i detyrojë palët t`i zbatojnë marrëveshjet e deritanishme.
Ditë më parë, në Prishtinë u mbajt Samiti për Paqe dhe Demokraci, nga ku ambasadorë të huaj në Kosovë thanë se përveç dialogut, nuk ka alternativë tjetër për Kosovën dhe Serbinë.
Më gjerësisht kronika në vazhdim:
Ndërsa, presidentja Osmani i ka dhënë rekomandime emisarit evropian për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, por vetë Miroslav Lajçak nuk shpjegoi se cilat ishin rekomandimet e saj për zbatimin e marrëveshjes së ndërmjetësuar nga BE-ja.
Lajçak i cili u takua me presidenten Osmani në Nju-Jork, tha se i ka vlerësuar idetë dhe rekomandimet e saj. Si Osmani, ashtu edhe Lajçak, qëndruan në SHBA këtë javë, ku liderët botërorë u mblodhën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Emisari evropian u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Nju-Jork, ku së bashku me të dhe me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, diskutuan për dialogun. Takimi i fundit në nivel të lartë politik në Bruksel ishte zhvilluar shtatorin e kaluar ndërmjet Kurtit e Vuçiqit.
E kryeministri Kurti, në takimet e tij në Nju-Jork me ndihmëssekretarin e Shtetit, James O’Brien, emisarin amerikan, Aleksandër Kasanof dhe emisarin evropian, Miroslav Lajçak, përsëriti kërkesën për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Në ditën e tretë të qëndrimit të tij në Nju Jork, kryeministri Kurti deklaroi se nënshkrimi dhe zbatimi i kësaj marrëveshjeje, është mjet i domosdoshëm për progres. Përveç dialogut, ata kanë diskutuar edhe për Procesin e Berlinit kurse bisedat me O’Brien, Kasanof dhe Lajçak, Kurti i ka quajtur produktive. Ndërsa, ministrja Donika Gërvalla, gjatë qëndrimit në Nju-Jork, në takim me homologun polak, diskutoi mënyrat për të përmirësuar bashkëpunimin në siguri, mbrojtje dhe ekonomi.























