Vrasja e Hassan Nasrallah, Khamenei paralajmëron hakmarrje  
BKT
Në Fokus

Vrasja e Hassan Nasrallah, Khamenei paralajmëron hakmarrje  

Bardhyl Bajrami|RTK

Hassan Nasrallah, lideri i Hezbollahut dhe një nga figurat më të njohura dhe më me ndikim në Lindjen e Mesme, është vrarë në sulmin e mbrëmshëm të Izraelit në Bejrut. Në këtë sulm janë vrarë 11 persona e 108 janë lënduar, ka thënë ministria libaneze e shëndetësisë.

Hezbollahu e ka konfirmuar sot se në sulmin e mbrëmshëm në Bejrut është vrarë lideri i saj Hassan Nasrallah.

Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei ka thënë se gjaku i liderit të vrarë nuk do të shkon pa u marrë hak. Khamenei ka shpallur 5 ditë zie ndërsa nga Zyra e kryeministrit të Irakut kanë thënë se Izraeli me vrasjen e Nasrallahut ka kaluar të gjitha vijat e kuqe dhe më Irak do të mbahen tri ditë zie.

Ndërkohë, sirenat e alarmit janë aktivizuar pothuajse gjithandej izraelit përfshirë Tel-Avivin dhe aeroportin ndërkombëtar Ben Gurion. Ushtria izraelite ka thënë se ka rrëzuar një raketë të llojit tokë-tokë, të lëshuar nga Yemeni.

Lëvizja Houthi në Jemen por edhe Hamasi në Gazë kanë thënë se mbajnë zi për liderin e vrarë të Hezbollahut dhe janë zotuar se përkrahja do të bëhet më e madhe dhe më e fortë.

 Në një informatë të publikuar së fundi, ministria libaneze e shëndetësisë ka thënë se nga sulmi raketor i së premtes në mbrëmje janë vrarë 11 persona ndërsa 108 janë lënduar.

Lideri i vrarë, Hassan Nasrallah, i cili nuk është parë në publik me vite të tëra nga frika për vrasjen e tij nga Izraeli, ka qenë një nga figurat më të njohura dhe më me ndikim në Lindjen e Mesme.

Sabrina Singh, zëdhënësja e Pentagonit, mbrëmë, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të përfshira e as nuk kanë pasur informata paraprake për sulmin e Izraelit ku mbeti i vrarë i Hezbollahut. Po ashtu mbrëmë, ministria e jashtme britanike u ka bërë thirrje shtetasve të vet që të largohen menjëherë nga Libani.


MË SHUME NGA Në Fokus