Kurti takon mërgaten në New Jersey, i fton të investojnë në Kosovë
G.K/RTKlive
Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar takimet me pjesëtarë të mërgatës dhe me përfaqësues të shoqatave dhe organizatave shqiptare që veprojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sot u mirëpritën në New Jersey, në një organizim të Qendrës Kulturore Shqiptaro-Amerikane "Struga", me kryetar, Sinan Alimi.
Në mesin e të pranishmëve ishte ambasadori William Walker.
Duke folur për Reçakun, Kurti tha se deklarata e ish-ambasadorit të OSBE-së William Walker e tronditi dhe e ndërgjegjësoi jo vetëm diplomacinë botërore por edhe opinionin publik ndërkombëtar, dhe ishte moment vendimtar që ndikoi edhe në ndërhyrjen e NATO-s.
“E vërteta nga deklarata e William Woker, në Reçak të Shtime më 15 janar 1999, e tronditi dhe e ndërgjegësoi jo vetëm diplomacinë botërore, por edhe opinionin publik ndërkombëtar që ishte moment vendimtar që më pas solli edhe ndërhyrjen e NATO’s për t’i dalë zot Kosovës dhe njerëzve që kishin përballë gjenocidin e Serbisë, e që kishin në krah UÇK-së, por në atë rast edhe avionët e NATO’s për të na nxjerr nga ajo krizë humanitare dhe për ta çliruar Kosovën pas 87 viteve të okupimit të saj”, tha Kurti.
Kurti falemnderoi mërgatën për kontributin e vazhdueshëm dhe rolin e rëndësishëm që luajnë edhe sot. Ai me ta ndau më të rejat e zhvillimeve në vend, detaje nga takimet në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe rezultatet nga qeverisja më shumë se 3 vjet e gjysmë.
"Ai i njoftoi edhe me politikat e qeverisë për diasporën, me qëllim përfshirjen sa më të madhe të saj në zhvillimin social dhe ekonomik. Ndër to u theksua Dritarja për Investime të Diasporës, përmes së cilës synohet t'i garantohen huatë e bizneseve me pronarë nga mërgata që duan të investojnë në Kosovë. Me këtë rast ai u bëri ftesë atyre që të shohin mundësitë që ofron Kosova për investime dhe t'i shohin si mundësi për ta dhe për partnerët e tyre biznesor", thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Në këtë takim, Kurti ishte i shoqëruar nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe Konsulli i Përgjithshëm i Kosovës në New York, Blerim Reka..jpg)
.jpg)
.jpg)























