Bislimi takon ambasadorin irlandez, flasin për investime ekonomike
BKT
Lajme

Bislimi takon ambasadorin irlandez, flasin për investime ekonomike

M.P. / RTKlive

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin jorezident të Irlandës për Kosovë, Ragnar Almqvist.

Përgjatë bashkëbisedimit, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për përkrahjen e palëkundur të Irlandës ndaj Kosovës, veçmas për mbështetjen në arenën ndërkombëtare.

“Në takim u bisedua rreth fuqizimit të marrëdhënieve e bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve tona në fusha me interes të përbashkët. Fokusi u përqendrua në mundësinë e kultivimit të shkëmbimit tregtar, investimeve ekonomike dhe projekteve kulturore midis dy vendeve tona, me theks në rrafshin e shkëmbimit të përvojave dhe në angazhimin e diasporës”, njofton zyra e kryeministrisë.

Zëvendëskryeministri e njohu ambasadorin edhe me aktualitetin e zhvillimet në vend, sipas komunikatës për rritjen ekonomike.

“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi ambasadorin për takimin e bisedën, duke shtuar se Kosova mbetet e gatshme për bashkëpunim të ngushtë me Irlandën e thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes nesh”, vazhdon njoftimi.

Irlanda do të marrë përsipër edhe presidencën e BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2026.


MË SHUME NGA Lajme