Konjufca: Skenari i Banjskës identik me pushtimin rus të Krimesë
BKT
Foto: Visar Shatrolli / RTK
Lajme

Konjufca: Skenari i Banjskës identik me pushtimin rus të Krimesë

V. Shatrolli / K. Kasumi / RTKlive

(E plotësuar) Instituti për Studimet e Luftës Hibride “Octopus” është duke mbajtur konferencën “Ndikimi i agresionit rus në Ukrainë në gjeopolitikën evropiane”. 

Në këtë konferencë po flasin përfaqësues vendor e ndërkombëtarë, të cilët po japin pikëpamjet dhe mendimin e tyre rreth pushtimit rus ndaj shtetit ukrainas.

Në mesin e panelistëve është edhe kryekuvendari, Glauk Konjufca.

Gjatë fjalës së tij, Konjufca tha  pasojat e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës  kanë ndikuar në Kontinentin Evropian në paqe e siguri, në politikë e gjeopolitke, më shumë se sa në luftën e dytë botërore.

Konjufca ka përmendur sulmin terrorist të një viti më parë në Banjskë, nga një formacion paraushtarak serb, duke thënë se skenari i kësaj ngjarje është identik me pushtimin rus të Krimesë në vitin 2014.

Ai ka thënë se as Rusia nuk ka hequr dorë nga bota ruse e as Serbia nuk ka hequr dorë nga bota serbe. Konjufca deklaroi se trupat paramilitare serbe të mbështetura nga Serbia e synuan në mënyrë të hapur aneksimin e veriut e Kosovës.

Sipas tij, përpjekja për destabilizm në Bosnjë dhe Hercegovinë, refuzimi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovëm dhe sulmi terrorist në Banjskë tregojnë për qëllimin e vërtet të Serbisë, e që nuk është qëllim normal, është qëllim i federatës ruse.

Cassidy: Serbia aleate e Rusisë, kërcënim për Kosovën

Profesoresha e Oksfordit, Jeniffer  Cassidy, e cila për herë të dytë po qëndron në Kosovë, nuk e ka përjashtuar mundësinë e rrezikut të ndonjë sulmi tjetër nga Serbia apo kërcënimi për pushtim në formën siç e ka bërë Rusia në Ukrainë.

“Me një fqinj që ka aq lidhje të afërta me Rusinë dhe me pushtimin e Ukrainës dhe destabilizimin e tërë regjionit, nuk mendoj se mund të përjashtojmë çfarëdo lloj opsioni. Do të ishte marrëzi të përjashtonim pushtimin qoftë përmes infiltrimit përmes forcave sekrete qoftë planeve të aneksimit”, tha ajo.

Cassidy deklaroi se është me rëndësi për Kosovën të mbajë lidhje të forta me BE-në në këto kohë të destabilitetit të madh. Tutje ajo shtoi se Serbia është aleate e fuqishme e Rusisë. “Ne e dimë se Serbia nuk i ka mbyllur shtigjet ajrore me Rusinë dhe  Kosova ka një fqinj që ka lidhje kaq të forta historikisht me Rusinë, dhe kjo është sfidë në aspekt të diplomacisë digjitale. Rusia, Ukraina dhe gjendja e fundit në Gaza janë pikat kryesore në temën digjitale. Në aspekt të dezinformimit, keqinformimin duhet ta kemi parasysh. Kjo nuk është diçka e re. Ka ekzistuar gjithmonë në çdo luftë. Gjithmonë ka pasur keqinformim, dezinformim dhe kjo sot është vetëm një vegël shtesë në përpjekje për luftë”, theksoi ajo.

Majko: Politika zyrtare serbe ka nxitur ekstremizëm nacionalist

Kurse Pandeli Majko, ish-kryeministër i Shqipërisë, tha se lufta në Ukrainë e filluar në shkurt të vitit 2022 ka pasur ndikime të shumta dhe komplekse në Ballkan. 

Ai tutje tha se pushtimi rus i Ukrainës ka pasur pasoja në Ballkan duke ndikuar në politikën, ekonominë dhe sigurinë e rajonit.

“Lufta ka nxitur ndjenja nacionaliste në rajon, ka rritur tensione politike dhe ka ndikuar në stabilitetin politik”, pohoi Majko.

“Ngjarja në Banjskë do të kërkojë mjaft angazhim, se ishte një akt ilegal dhe Banjska nuk e fshehu aludimin se ajo ishte një tentativë serioze. Aktualisht politika zyrtare serbe po e përdor marrëdhënien me Kosovën  për të nxitur unitet kombëtar, por kjo ka nxitur ekstremizëm nacionalist”, shtoi ai.

Hoxhaj: S’kam menduar që pas sulmit në Ukrainë, shohim hegjemoninë serbe në Ballkan

Enver Hoxhaj, deputetë i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, teksa ka folur për krizat dhe luftërat në rrafsh global, ka ngre paralele me mënyrën se si ato kanë ndikuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai ka thënë se s’ka besuar se do të ndodh sulmi terrorist i Banjskës, pas mbështetjes evropiane ndaj Ukrainës.

“Ne jetojmë në një kohë kur lufta është e pashmangshme dhe neve na duhet një mendim i plotë. I kemi disa probleme që janë në Ballkanin Perëndimor, i pari është se nuk kam menduar që pas sulmit në Ukrainë dhe regjim gjeopolitik të Evropës si mbështetje të Ukrainës,  të shohim një regjim të hegjemonisë serbe në Ballkan”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme