Haxholli: Procesi i Berlinit të shihet si parapërgatitje për bashkim në BE
M.Miftari/RTKlive
Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka shpalosur raportin e publikuar sot në një tryezë të përbashkët me deputetë anëtarë të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ajo veçoi dy komponente të monitorimit, që, sipas saj, janë: tregu i përbashkët rajonal dhe agjenda e gjelbër.
Ajo në 'InfoPlus', në RTK, tha se në këto dy komponente KDI ka monitoruar pjesën e digjitalizimit të tregut të përbashkët rajonal dhe pjesën e dekarbonizimit. Këtë KDI e ka organizuar në bashkëpunim me 6 organizata të tjera, sipas saj, të rëndësishme rajonale, të cilat kanë për qëllim fuqizimin e rolit të parlamentit në vendet përkatëse.
“I gjithë raporti ka të bëjë me planin e veprimit, për të cilat shtetet e Ballkanit Perëndimor janë dakorduar në kuadër të Procesit të Berlinit,që kanë marrë zotime konkrete për fusha të ndryshme të cilat shtete e Ballkanit Perëndimor duhet t’i zbatojnë”, tha Haxholli.
Ajo tutje theksoi se shtete e Ballkanit Perëndimor duhet t’i kryejnë të gjitha detyrat që janë zotuar t’i kryejnë, të cilat janë miratimi i projektligjeve të caktuara dhe harmonizimi i tyre me standardet evropiane, derisa shtoi se kjo është poenta në të cilën avancimi i këtyre shteteve të arrihet në përputhje me standardet e BE-së.
“Prandaj Procesi i Berlinit duhet të shihet edhe nga Kosova dhe nga shtetet tjera të rajonit si një lloj parapërgatitje që këto shtet të bashkohen në BE”, tha Haxholli.























