Rohde: Të palëkundur për stabilitet e prosperitet të Kosovës dhe rajonit
BKT
Lajme

Rohde: Të palëkundur për stabilitet e prosperitet të Kosovës dhe rajonit

E. Hoti / RTKlive

Ambasada e Gjermanisë në Kosovë e ka shënuar Ditën e Unitetit Gjerman. Me këtë rast është organizuar pritje, ku morën pjesë bartës të institucioneve, deputetë të Kuvendit të Kosovës nga të gjitha subjektet politike, ambasadorë të akredituar në Kosovë e mysafirë të tjerë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në adresimin e tij para të pranishmëve ka thënë se po punojnë shumë që samiti i radhës i Procesit të Berlinit të jetë një sukses për Kosovën dhe të gjithë rajonin.

“Miqësia jonë me Kosovën si të gjitha marrëdhëniet janë ballafaquar me sfida. Por, midis miqve, ndershmëria, dialogu i hapur dhe gatishmëria për të pranuar këshilla janë themelet e forcës së vërtetë. Gjermania dhe Kosova ndajnë marrëdhëniet të ndërtuara mbi besimin dhe respektin dhe besimi se përmes shkëmbimit të hapur ne gjithmonë mund të gjejmë një rrugë përpara. Një rrugë që për ne mund të rezultojë vetëm në integrimin e plotë euroatlantik të Kosovës. Derisa po flasim që Procesi i Berlinit feston 10-vjetorin e tij, ne kemi punuar shumë për ta bërë samitin e ardhshëm më 14 tetor një sukses për Kosovën dhe gjithë rajonin duke u fokusuar në funksionalizimin e plotë të CEFTA-s dhe mundësimin e tregtisë së vërtetë të lirë në rajon”, tha  Rohde.

Tutje ambasadori gjerman theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona nuk janë vetëm midis dy qeverive, por janë rrënjosur thellë mes dy popujve.

“Gjermania është shtëpia e diasporës më të madhe kosovare në mbarë botën me afro 600 mijë anëtarë dhe po rritet më tej. Ne kemi qenë të lidhur prej kohësh përmes kulturës dhe miqësisë familjare. Kemi qëndruar krah Kosovës në momente sfidash dhe mundësishë. Gjatë vitit të kaluar kemi shtuar kontingjentin tonë brenda KFOR-it, duke sjellë më shumë ushtarë gjermanë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë e Kosovës. Kjo pasqyron përkushtimin tonë të palëkundur për të siguruar stabilitet dhe prosperitet në Kosovë dhe në mbarë rajonin”, shtoi Rohde.

Bislimi: Kosova çmon kontributin e Gjermanisë

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Në adresimin e tij Bislimi tha Kosova e çmon kontributin e Gjermanisë për zhvillimin ekonomik, arsim, siguri dhe shkëmbim kulturor.

“Kosova po aspiron për integrim më të madh në institucionet ndërkombëtare. Ne po aspirojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, NATO, në Këshill të Evropës dhe në shumë organizata ndërkombëtare. Jemi të bindur se me mbështetjen e Gjermanisë dhe të aleatëve tjerë kjo do të bëhet një storie suksesi”, tha Bislimi.

 Në fund ai ka uruar popullin gjerman për këtë ditë të rëndësishme.


MË SHUME NGA Lajme